Visjan Ukcenaj: Dhjetori më bën edhe një herë fëmijë

Showbiz

visjani

Ta shohësh Visjanin tek “Apartamenti 2XL”, ku gjithmonë mbështillet me maskën e tij komike, të lë shumë pak fantazi për të njohur brendinë e tij, por, në të vërtetë, ndryshe nga sa mund ta mendoni, ai është një djalë shumë i ndjeshëm dhe kjo periudhë festash, e nxjerr edhe më në pah këtë tipar të karakterit të tij, ndoshta sepse dhjetori i sjell shumë data për të festuar. “Më pëlqen shumë periudha e Vitit të Ri, sepse është muaji në të cilin kam lindur, – rrëfehet Visjani. – Datëlindja ime është më 20 dhjetor dhe gjithmonë e kam shijuar dimrin. Më pëlqen edhe si stinë, por edhe ngaqë e di që në këtë periudhë vijnë dhuratat”. Ai shijon çdo element të kësaj periudhe, që nga zbukurimi i qytetit e deri te festimet e datave të shënuara. “Të krijon një gjendje pozitive, – thotë aktori i humorit. – Njerëzit janë më të lumtur, më të qeshur, priren për gjëra më të mira, pra, gjithçka është shumë e bukur. Unë bëhem nostalgjik, sepse jam rritur në Pukë, një qytet i cili ka gjithmonë borë në këtë periudhë. Ato zbukurimet në të bardhën e borës ishin gati magjike. Kam edhe foto nga ajo kohë kur njerëzit vendosnin zbukurime në dritare dhe bora rrethonte çdo gjë. Atmosferë që, fatkeqësisht, në kryeqytet nuk e gjen dot, prandaj edhe më zgjohen këto kujtime. Kujtoj me mall kur ishte mbrëmje vonë dhe sapo kishte rënë borë: vishesha me vrap se doja të dilja, e ndërsa bora vazhdonte të binte, rrija me gojën hapur që të prisja ndonjë flok të zbriste tek unë. Faqet i kisha të skuqura nga vrapi dhe ndërkohë shijoja freskinë e borës mbi fytyrë. Pastaj, ishte edhe ajo qetësia absolute që bie sa here ka reshje bore.” Me siguri që edhe ky dhjetor do t’i rikthejë Visjanit episode nga koha e tij e fëmijërisë, ndërkohë që orët e fundit të vitit do t’i ndajë me familjen dhe partneren. Por duke qenë se dhjetori nxjerr gjithmonë në sipërfaqe Visjanin fëmijë, ai do të donte që këto festa t’i kalonte në “Disneyland”. Ka një zakon nga fëmijëria, prej të cilit ende nuk ka hequr dorë: zbukurimi i bredhit dhe dekori i shtëpisë, detaje për të cilat ai kujdeset personalisht. “Çdo vit dal me partneren time dhe blejmë dekore të reja, të veçanta. Kjo është ajo gjëja që e bëjmë gjithmonë bashkë dhe më jep shumë kënaqësi”. Por, ka edhe një zakon, nga i cili Visjani ka hequr dorë përfundimisht: fishekzjarrët. I ndërgjegjshëm tanimë për rrezikun e tyre, ai e ka kyçur këtë dëshirë përgjithmonë në fëmijërinë e tij.
Nga Elona Jaçellari/Fotografia Armand Habazaj
Revista Living