Abazaj, Anderlechti ka për ç’të krenohet me shqiptarin

Sport

kristal

Asnjë minutë nuk i ka rezervuar deri tani në kampionatin belg. Megjithatë duket se Anderlecht ka se për cfarë krenohet me Kristal Abazajn. Pikërisht, klubi ka dashur të tregojë se është një nga ata që ka shumë futbollistë të grumbulluar me ekipin kombëtar dhe këtu përfshihen ftesat edhe me ekipet e moshave. Klubi legjendar belg njoftoi se mes ekipeve të moshave dhe atyre A, kishte 22 lojtarë të grumbulluar me ekipet kombëtare në këtë periudhë të vitit. Në këtë listë sigurisht që bënte pjesë edhe ftesa te U-21 e Kristal Abazajt.

abazaj
Mirëpo nëse për klubin belg është krenari, nga ana tjetër për Abazajn ka qenë një minus fakti që nuk ishte më pjesë e Kombëtares së madhe. Ja që kanë ndikuar jo pak mosaktivizimi me Anderlechtin dhe forma që duhet të rigjejë pas një dëmtimi të pësuar. Gjithsesi, Abazaj mbetet një lojtar nga i cili është e vështirë të hiqet dorë. Këtë e ka kuptuar mirë edhe trajneri i Shpresave, Alban Bushi, i cili e ka përfshirë në listën e tij për ndeshjen me Spanjën, që luhet në Kordoba. Për Kombëtaren e madhe, Abazaj ka ende kohë, pasi është i ri dhe e ka të ardhmen përpara. Thjesht gjatë këtij sezoni duhet të bëjë c’mos që të ingranohet sa më shpejt me skuadrën e Anderlechtit që si përfundim nuk preferoi ta huazojë në një ekip tjetër. Kjo shihet si një sinjal besimi që duket se drejtuesit e klubit të madh belg kanë tek talenti shqiptar.