Adama Traore rikthehet në “shtëpi”!

Sport

Adama Traore është zyrtarisht lojtar i Barcelonës. Me fjalë të tjera, sulmuesi është rikthyer në shtëpi, duke qenë se është një produkt i akademisë së katalanasve. Traore, bashkohet sërish me blaugranat pas një periudhe 8 vjeçare larg stadiumit Camp Nou, aty ku fillimisht debutoi në sezonin 2013/14. Traore shihet si një përforcim mjaft domethënës për spanjollët, teksa nën urdhërat e trajnerit Xavi Hernandez pritet t’i japë më tepër fantazi fazës sulmuese. Ndërkohë, një ndër çështjet më të komentuara në kampin katalanas përgjatë ditëve të fundit, është Ousmane Dembele, i cili duket gjithmonë e më larg Barcelonës. Francezi vendosi të mos rinovonte kontratën, duke qenë se për ta bërë diçka të tillë kërkonte rreth 40 mln euro në sezon. Kjo kërkesë e futbollistit, është refuzuar kategorikisht nga klubi, që tanimë dëshiron me çdo kusht të divorcohet me lojtarin. Sikurse raportojnë mediat pranë gjigantëve të La Ligas, Dembele është i lidhur me një transferim të mundshëm në Parc des Princes në radhët e PSG-së. Kryesuesit e Ligue 1 besojnë se 24 vjeçari ka potencialin e duhur për të shkëlqyer në kryeqytet, diçka që nuk ka mundur ta bëjë dot në Camp Nou për vite me radhë. Po ashtu, një tjetër pistë për të ardhmen e anësorit është edhe Tottenham. Për të siguruar shërbimet e futbollistit në fjalë, Spurs duhet të garojnë me parizienët, teksa zhvillimet priten me tepër interes, për të parë se cili prej tyre do jetë fitues I kësaj gare. Gjithçka pritet të marrë udhë shumë shpejt, pasi në fund të sezonit, Dembele mbetet një lojtar pa kontratë dhe në këtë mënyrë, Barcelona nuk ka interes që të lelojë largimin e tij me parametra zero.