Adrian, nga i papunë në hero me kampionët brenda 9 ditësh

Sport

Portieri spanjoll, Adrian ishte njeriu më vendimtar, në triumfin e Liverpoolit gjatë Superkupës së Evropës përballë Chelseat. Portieri spanjoll 32-vjeçar ishte ai që priti penalltinë vendimtare. Adrian u tregua i zgjuar duke pritur me lehtësi penalltinë e fundit të Chelseat, që u godit nga sulmuesi Tammy Abraham. Kjo pritje e ka bërë spanjollin njërin nga heronjtë e Liverpoolit dhe tifozëve të tyre, të cilët kanë thurur shumë elozhe për spanjollin, i cili e zëvendësoi në mënyrë të përkryer të dëmtarin Alisson Becker.


E të thuash që nëntë ditë më parë, ai ishte një i papunë që pas largimit nga Uest Hemi stërvitej i vetëm në pritje të telefonatës së një skuadre. Dhe fati deshi që pikërisht Klopit t’i duhej një portier si zëvendësues për Alisson, pas largimit të Mignolet për te Klub Bryz. Kështu, Adrian u transferua në ‘Anfield’ vetëm më 5 gusht për të qenë alternativa e brazilianit titullar. Mirëpo ja që dëmtimi i ish-portierit të Romës në sfidën e parë të Premier League, bëri që sërish fati t’i buzëqeshte spanjollit, për t’i dhënë fanelën e titullarit të portës në Superkupën e Evropës.


Përgjatë 120 minutave bëri një lojë përgjithësisht të kujdesshme, megjithëse rrezikon të hedhë gjithcka në erë me penalltinë e shkaktuar ndaj Abraham në pjesën e dytë shtesë. Megjithatë arriti ta shlyejë atë gabim me pritjen me këmbë të 11-metërshit vendimtar sërish ndaj Abraham, në serinë e nevojshme pas përfundimit të minutave të lojës. Jurgen Klopp e ka krahasuar me ikonën e boksit Rocky Balboa pas ndeshjes kundër Apollo Creed. Kurse vetë Adrian, tashmë në moshën 32-vjecare arriti të ngrejë në qiell trofeun e parë në karrierë pas vetëm 1 ndeshje të plotë të luajtur me Liverpulin.