Manchester United, vazhdon lufta Mourinho-Martial

Sport

Mourinho Martial
Situata mes Jose Mourinho dhe Anthony Martial sa vjen e përkeqësohet. Tek Manchester United marrëdhënia mes trajnerit dhe lojtarit në fjalë është kthyer në çështjen kryesore.
Futbollisti francez u largua nga grumbullimi i skuadrës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Parisit, ku qëndroi pranë partneres së tij në lindjen e vajzës së quajtur Sëan. Mediat sportive e lidhën këtë shkëputje të Martial edhe me ndonjë spekulim merkatoje, ndërkohë që pas ndeshjes me Real Madrid, Mourinho është shfaqur i pakënaqur nga sjellja e Martial. Ai thoshte se pas lindjes së fëmijës të tij, francezi duhej t’i ishte bashkuar sërish skuadrës, gjë që nuk ndodhi.
“Fëmija i Martial lindi dhe falë Zotit gëzon shëndet të plotë. Ai duhet të ishte me ne tani por nuk ka ardhur ende”-ishin fjalët e trajnerit portugez.
Ndërkohë nuk ka vonuar të kthejë përgjigje me anë të rrjeteve sociale edhe Martial, që shkruante: “Faleminderit të gjithëve për mesazhet. Sëan është mirë, për nënën e saj ishte pak e vështirë por falë Zotit edhe ajo është mirë tani. Më vjen keq por familja ime vjen përpara të gjithave… Rikthehem nesër në Manchester”.
Ka qenë ky mesazhi i Martial për tifozët e tij e sigurisht edhe për trajnerin Mourinho, që duhet të vendosë nëse francezi do të qëndrojë në “Old Trafford” apo jo sezonin e ardhshëm.