Ajax-i, shifrat e çmendura të përfituara nga UEFA për suksesin europian!

Sport

Sfida e parë mes Tottenham dhe Ajax, e zhvilluar në Londër, ka vendosur një rekord shikueshmërie në Holandë. Plot 4.1 milionë holandezë ndoqën nga ekrani i TV ndeshjen gjysmëfinale që Ajax-i fitoi minimalisht 1-0 ndaj të besuarve të Mauricio Pochettinos. Ky nivel shikueshmërie nuk shihej prej vitesh në Holandë, ndërsa është thyer rekordi prej 3.7 milionë teleshikuesish që ndoqën takimin mes Milan dhe PSV Eindhoven disa vite më parë. Por arritjet e Ajax-it nuk mbarojnë këtu. Rikthimi pas shumë vitesh në gjysmëfinalet e Champions League ka bërë që arkëtimet e klubit për këtë sezon të rriten ndjeshëm. Shpërblimet e UEFA-s për Ajax-in deri më tani kapin shifrën e 90 milionë eurove, ndërsa fitimi maksimal, në rast të një triumfi në kompeticionin më të rëndësishëm në klube, do të arrinte në 112.5 milionë euro.

Vetëm pjesëmarrja në fazën e grupeve u siguroi ‘harkëtarëve’ 18.8 milionë euro, ndërsa u shtuan edhe 10.8 milionë të tjera në formë bonusi për rezultatet e arritura gjatë kësaj faze. Kalimi në 1/8-at shpërbleu ekipin holandez me 9.5 milionë euro, ndërsa triumfet ndaj Real Madrid dhe Juventus siguruan përkatësisht 10.5 dhe 12 milionë euro të tjera. Sa i përket biletave të shitura në ‘Johan Cruijff Arena’, Ajax-i ka grumbulluar deri më tani plot 10.7 milionë euro, rekord ky për klubin sa i përket këtij kompeticioni, ndërsa 2.5 milionë të tjera kanë ardhur nga të drejtat televizive. Kështu, Ajax-i nuk është vetëm një histori suksesi në fushën e blertë, por edhe jashtë saj, ku financat e klubit vazhdojnë të mbushen, duke u bërë që drejtuesit e skuadrës të bëjnë lëvizjet e tyre gjatë merkatos së ardhshme verore.