Aksident i frikshëm në garën e Macau, përplasje me 170km/orë!

Sport

macau
Një aksident i rëndë ka qenë pika kryesore e garës së ‘Formula 3’ në Macau, ku pas përplasjes së dhunshme të makinës së skuadrës ‘Van Amersfoort Racing’, e drejtuar nga 17-vjeçarja Sophia Floersch, përfundoi mbi barrakadat mbrojtëse të pistës së Macaut. Të paktën 6 persona përfunduan në spital pas aksidentit të frikshëm, por fatmirësisht të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën. Përmes një komunikate zyrtare, organizatorët e garës së ‘Formula 3’, bënë me dije se të gjithë personat janë nën vëzhgimin stafit mjekësor. Përveç pilotës adoleshente, që ka pësuar një frakturë në shtyllën kurrizore, në spital përfunduan edhe 2 fotografë, një kameraman, një komisar i garës si dhe një pilot tjetër, japonezi Sho Tsuboi.

FIAF3 1539425259 780x405

Makina e Floersch fluturoi në 3 metra lartësi, duke kaluar barrierën mbrojtëse dhe u përplas me një strukturë ku po qëndronin përfaqësues të medias. Në momentin kur pilotja humbi kontrollin e makinës. ajo regjistrone shpejtësinë 170km/orë, duke bërë që edhe impakti i përplasjes të ishte vërtet i frikshëm. Kjo situatë solli ndërprerjen e garës dhe një kaos të madh mes pjesëmarrësve, organizatorëve dhe tifozëve të pranishëm, por për fat gjithçka përfundoi pa viktima. 17-vjeçarja Sophia Floersch lajmëroi nga spitali të gjithë tifozët për gjendjen e saj, duke thënë se është shumë mirë. Dëmtimi në shtyllën kurrizore fillimisht i ka trembur familjarët dhe drejtuesit e skuadrës së Floersch, por sipas analizave mjekësore, 17-vjeçarja do rikthehet shpejt në formën të mirë.