PSG refuzon ofertën e Atletico Madrid për Cavani

Sport

Edinson Cavani është kthyer në një çështje të vërtetë tek skuadra e PSG, pasi prej kohësh, sulmuesi po sheh mundësitë më të mira për t’u larguar. Megjithatë, trajneri Tuchel vijon të këmbëngulë për ta mbajtur uruguaianin në organikën e skuadrës së tij, teksa së fundmi, në Francë mediat raportojnë se kampionët e ‘Ligue 1’ kanë refuzuar një ofertë konkrete për lojtarin. Atletico Madrid është skuadra që ka kërkuar prej javësh të firmosë me Cavanin, i cili është i gatshëm ta bëjë realitet këtë lëvizje. Duke qenë se lojtarit i skadon kontrata në fund të sezonit, ‘los rojiblancos’ kanë bërë një ofertë prej 10 milionë eurosh tek PSG, që këta të fundit e kanë refuzuar menjëherë. Drejtuesit e PSG kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga largimi i Cavanit gjatë janarit, për të mos e humbur me parametra zero në fundin e këtij sezoni.

Nga ana tjetër, trajneri Tuchel e sheh si një element të rëndësishëm për arritjen e objektivave të këtij sezoni, prandaj gjermani kërkon fillimisht të ketë një zëvendësues të denjë të Cavanit, përpara se uruguaiani të lejohet të largohet. Në Spanjë raportohet se Atletico do të provojë sërish me një ofertë tjetër, ndërkohë që agjentët dhe përfaqëuesit e Cavanit, kanë filluar të bëjnë presion tek PSG, për të lejuar largimin e tij drejt një skuadre ku do të ketë mundësi të ketë më shumë minuta në dispozicion. Për 32-vjeçarin interesohen disa klube të rëndësishme, por vetë sulmuesi duket se ka kërkon të vazhdojë karrierën pikërisht tek ekipi i drejtuar nga Diego Simeone. Edhe drejtori teknik i PSG, Leonardo pranoi se Cavani ka kërkuar zyrtarisht largimin. Braziliani u shpreh se ekipi francez po studion me kujdes situatën, pasi të gjithë dëshirojnë që uruguaiani të mbetet në ‘Parcs des Princes’, ndonëse ky është kthyer në një mision të vështirë.