Al-Hilali “ngushëllohet” me Osimhen

Sport

Refuzimi i rradhës nga Kylian Mbbape nuk e ka dëshpëruar Al Hilalin. Klubi arab dërgoi emisarë në Francë dhe edhe pse vendosi në tryezë një kontratë që do të kapte shifrën e 700 milion eurove në sezon, nuk i’a doli ta bindte 24 vjecarin të braktise ëndrrën e tij për të qënë pjesë e Realit të Madridit. Klubi saudit nuk ka “shkulur flokët” pas këtij refuzimi, por ka gjetur menjëherë alternativën. Fjala është për Victor Osimhen-in. Nigeriani ditët e fundit ka qënë në Paris, pikërisht në të njëjtën kohë kur aty ndodheshin emisarët e Al Hilalit, edhe pse duhet thënë që Osimhen kishte udhëtuar në kryeqytetin e Francës për arsye personale.

Golashënuesi më i mirë i sezonit të fundit në Serinë A shihet si një yll që do ti shërbente skuadrës arabe jo vetëm në planin teknik , por edhe në atë mediatik, duke llogaritur fushatën tekniko-mediatike që kanë ndërmarë shumë klube të Arabisë Saudite gjatë merkatos së kësaj vere, teksa kanë afruar futbollistë  të rëndësishëm nga Europa duke i joshur me milliona euro.

Ende nuk ka një ofertë apo një shifër, por dihet që presidenti i Napolit De Laurentis nuk kënaqet me pak dhe pa parë të paktën 180 milion euro në faksin që do të përbajë një ofertë eventuale,  nuk do të thotë “po”. Shifër që është sigurisht e lartë, por që Al Hilali e ka mundësinë ta paguaj ashtu sic ka mundësinë të kënaqë edhe kërkesat ekonomike të 24 vjecarit. Kujtojmë që kontrata e sulmuesit me Napolin përfundon në 2025-ës dhe për momentin nuk ka diskutime fryt-dhënëse për rinovimin. Victor Osimhen ishte një ndër protagonistët kryesor në sezonin që riktheu Napolin tek titulli pas 33 vitesh, 26 golat e tij rezultuan vendimtar për arritjen e këtij sukesi madhor.