Angli, Chelsea rikthen Frank Lampard në krye të stolit

Sport

Menjëherë pas shkarkimit të Graham Potter nga detyra si trajner i Chelsea-t, të shumtë kanë qenë emrat e përfolur për të marrë kreun e stolit të londinezëve. Julian Nagelsmann, Antonio Conte dhe Luis Enrique po përfliten shumë për t’u bërë trajnerët e rinj të ‘bluve’, por këto dy emra janë dakord të marrin detyrën vetëm për sezonin e ardhshëm. Kështu, drejtuesit e Chelsea-t duhet që fillimisht të gjejnë një trajner për të mbyllur sezonin aktual, e më pas të mendojnë për të ardhmen. Emri, deri diku surprizë, që po flitet tashmë është ai i Frank Lampard. 44-vjeçari ishte në tribunën kryesore të stadiumit ‘Stamford Bridge’, për të ndjekur përballjen e mbyllur në barazim 0-0 me Chelsea-t dhe Liverpool-it, teksa mediat britanike raportojnë që po atë mbrëmje, ka patur edhe bisedime të ish-mesfushorit me drejtuesit e klubit. Lampard e ka drejtuar edhe më parë Chelsea-n, nga viti 2019 deri në 2021-shin, por pa patur suksesin që shumë tifozë prisnin nga legjenda e klubit të tyre. Këtë sezon, Lampard ishte në krye të stolit të Everton-it, por edhe aty nuk ia doli të linte një shije të mirë. Në Angli, shumë e shohin afrimin e Lampard si një lëvizje të drejtuesve për të qetësuar marrëdhëniet me tifozët, pasi ish-mesfushori, pavarësisht se nuk bëri asgjë të jashtëzakonshme në epokën e parë si trajner i Chelsea-t, mbetet një nga figurat më të dashura të tifozerisë së klubit londinez.