Angli, De Gea nuk është më i njëjti për United, Neville kritikon spanjollin

Sport

David de Gea u bë sërish protagonist për Manchester United, me ‘djajtë e kuq’ që nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 ndaj Tottenhamit në sfidën e vlefshme për javën e 30 të kampionatit anglez. Portieri spanjoll dështoi të ndalte goditjen e Steven Bergwijn në momentin e golit të ‘Spurs’-ave, ndonëse sulmuesi holandez lëshoi një goditje qëndrore me pozicionin e De Geas. Ky moment ka irrituar së tepërmi tifozët e Manchester United, të cilët bëhen dëshmitarë për të disatën herë të gabimeve të spanjollit. Durimi i është sosur edhe një prej ish-lojtarëve të ‘djajve të kuq’, Gary Neville, i cili nuk i ka kursyer kritikat për 29-vjeçarin. Neville mendon se pavarësisht vlerave dhe kontributin që De Gea ka dhënë për Manchester United gjatë këtyre viteve, figura e spanjollit në ekipin e Solskjaer nuk është më e njëjta. Sipas Neville, De Gea nuk është më i njëjti lider dhe protagonist që ai dhe tifozët e United kanë parë gjatë sezoneve të kaluara, çfarë sigurisht mund të verë në pikëpyetje edhe rolin e tij si portieri i parë i klubit vitin tjetër. Afrimi i Dean Henderson në sezonin e ardhshëm duket se do të vërë vërtet në provë De Gean, që do të ketë një konkurent të denjë për formacionin titullar dhe Neville mendon se me këto ritme, trajneri Solskjaer duhet t’i japë përparësi portierit të ri. Henderson ka luajtur gjatë 2019/2020-ës si i huazuar tek Sheffield United, duke spikatur me kontributin që ka dhënë për ekipin e drejtuar nga O’Connell. Gary Neville madje shkon më tej duke thënë se nëse Henderson do të vijojë me performancat e mira edhe tek United, atëherë jo vetëm që do të lërë në stol David De Gean, por do të shndërrohet edhe në portierin kryesor të kombëtares angleze.