Angli-Kolumbi, kush kualifikohet ka shanse për finalen

Sport

angli colombi

Çerekfinalja e fundit e “Rusi 2018” përcaktohet nga fitueset e çifteve Kolumbi-Angli dhe Zvicër-Suedi, që luhen të martën. “Tri Luanët” dhe “El Caffeteros” sfidohen në “Spartak Stadium” për herë të shtatë me një bilanc që është tërësisht në favor të anglezëve, me 3 fitore e 2 barazime. E fundit herë në një Botëror ishte përpara 20 vjetësh, saktësisht në grupet e Francë 98. Atëherë kur Darren Anderton dhe David Bekcham i dhanë britanikëve një fitore 2-0. Për këtë ndeshje, trajneri Southgate do të rikthejë formacionin tip, pas rotacionit që bëri ndaj Belgjikës, teksa është riaftësuar edhe Delle Alli me probleme fizike. Kurse për Kolumbinë, që ka 2 ndeshje pa pësuar gol, në dyshim është vetëm Hames Rodrigez, i dëmruar. Ndërsa nga pezullimi kthehet Carlos Sanchez.

world c 2018
Kundërshtari i anglezëve, apo kolumbianëve do të dalë pasditen e së martës, nga Suedi-Zvicër që luhet në Shën Petersburg. Bëhet fjalë për sfidën e parë mes tyre në 1/8 e finaleve të një Botërori. Nga njëra anë është Suedia, ajo që mund të cilësohet si surpriza e “Rusi 2018”, pasi doli kryesuese e një grupi ku ishte edhe Gjermania. Ndërsa tani duket sikur kërkon të përsërisë rrugëtimin e vitit 1994, atëherë kur arriti e 3-ta në botë. Nga ana tjetër është Shaqiri me shokë, që vijnë si të pathyer dhe me 5 gola të shënuar, njësoj si suedezët. Mirëpo nordikët janë shfaqur më solidë në mbrojtje, pasi kanë pësuar 2 gola kundrejt 4 të Zvicrës. Dy janë mungesat për helvetët, që nuk do të kenë të gatshëm mbrojtësit Schar e Lichsteiner për shkak kartonësh. Kurse Suedia do të vuajë mungesën e Larsson, edhe ai i pezulluar. Tre ndeshjet e fundit midis Suedisë e Zvicrës kanë sjellë 2 barazime dhe 1 fitore të skandinavëve.