Angli, zbardhet raporti, Wenger e quajti arbitrin Dean hileqar

Sport

Arsene Wenger

Më 31-dhjetor, gjatë ndeshjes West Bromwich-Arsenal, Arsene Wenger e quajti gjyqtarin Mike Dean hileqar dhe një turp për futbollin, kështu ka bërë me dije raporti i Federatës Angleze të enjten. Gjatë sfidës me bardheblutë Arsenali vuajti një penallti pasi gjyqtari Mike Dean e cilësoi të vullnetshme prekjen e topit me dorë nga mbrojtësi Chambers në minutën e 89-të. Ndeshja në fjalë u mbyll barazim 1-1 pikërisht falë asaj penalltie dhe Wenger u xhindos jashtë mase aq sa filloi të shfryhej që në fushë ndaj gjyqtarit të katërt. BBC citon raportin tashmë të bërë publik nga Federata Angleze, ku thuhet se trajneri francez iu drejtua dhomave të gjyqtarëve duke u përplasur me arbitrin 49-vjecar Mike Dean. 68-vjecari Wenger thuhet se e ka fyer arbitrin duke theksuar se edhe në ndeshje të tjera ai kishte marrë vendime kundër Arsenalit edhe pa i parë fare rastet e dyshimta. Më 5 janar, ndaj trajnerit Wenger, komisioni i disiplinës vendosi një pezullim prej 3 ndeshjesh dhe një gjobë prej 40 mijë paundësh për këtë cështje, por shtypi nuk pati mundësinë e zbardhjes së situatës deri përpara datës 16 janar, kur raporti u bë publik. Në konferencat për shtyp që kanë pasuar 68-vjecari e ka pranuar se e teproi me mënyrën e qasjes ndaj gjyqtarit Dean, por sërish nuk është tërhequr nga pretendimet. Vitin e kalaur Wenger u pezullua gjithashtu për 4 ndeshje sërish për shkak të akuzave ndaj gjyqtarëve, ndërsa nga Federata tashmë po mendohet për një pezullim edhe nga stadiumi nëse ai e ripërsërit këtë sjellje.