ASLLANI NË QIELLIN E SHTATË, THYEN EDHE REKORD NË SERIE A

Sport

 

Kristjan Asllani ka qenë protagonisti absolut i fitores së Interit ndaj Xhenoas, ku ai gjeti edhe golin e tij të parë në Serinë A me fanellën zikalër. Ai u shfaq në qiellin e shtatë, duke shprehur të gjithë kënaqësinë e tij. “Për të qenë i sinqertë, e kisha pritur gjatë këtë gol dhe shpresoja se do të vinte në stadiumin tonë, pasi është një emocion i veçantë të shënosh këtu, Këtë gol ia dedikoj familjes sime, por edhe këtyre djemve në skuadër që më ndihmojnë çdo ditë, të gjithë erdhën për të më përqafuar dhe ishin shumë të lumtur për mua. Por më i kënaqur jam që edhe skuadra fitoi një ndeshje të vështirë”, ishin fjalët e Asllanit.

Mirëpo mesfushori ka vendosur një rekord për këtë sezon në Serinë A. Sipas të dhënave të “SOFASCORE”, Asllani ka çuar në destinacion të gjitha pasimet që ka tentuar në ndeshje: 77 nga 77. Një saktësi e jashtëzakonshme për futbollistin shqiptar, në një nga kampionatet më të vështira në botë ku një gjë e tillë nuk ndodh shpesh me këto shifra. I fundit që kishte arritur një shifër të lartë pasimesh ishe Lobotka i Napolit, i ndalur 60/60 në një ndeshje në janarin e këtij viti.