Barça e pandalshme, e nisi siç e mbylli vjet

Sport

8719b7f6-4075-11e5- 956602b
Edhe edicioni i ri futbollistik nis ashtu, si ishte mbyllur i vjetri. Me Barcelonën që ngre në qiell një tjetër trofe, të katërtin në radhë për kët vit. Kampionët e Europës thyen me mjaft mund Seviljen, në finale e Superkupës së Europës, që u luajt në Tbilisi dhe u transmetua ekskluzivisht në Tring Sport.
Spektakolar jo vetëm në prologun e saj, por edhe në emocione e gola ishte dueli i së martës. Pavarësisht se katalanasit krijuan një avantazh 4-1, si përfundim u barazuan nga andaluzët Aq sa u deshën kohët shtesë për të përcaktuar fituesin, me rezultatin rekord 5-4.
Pavarësisht se të parët e gjetën golin fituesit e UEFA Europa League me Ever Banegan, dy goditje dënimi të kalibruara të Lionel Messi brenda 10 minutash, si dhe golat e talentit Rafinja e Luis Suarezit, përveçse përmbysën menjëherë avantazhin e Seviljes, krijuan përshtypjen se kampionët e Europës do ta kishin fare të lehtë.
Por ishte Jose Antonio Rejes që në të 57’ nisi rikuperimin e pabesueshëm të diferencës brenda 24 minutave. Për këtë u deshën edhe penalltia e realizuar nga Gameiro si dhe goli i një prej blerjeve të reja të Seviljes, ukrainasit Konoplianka.
Ekuilibri i shifrave solli 30 minutat e detyrueshme të shtesës, ndonëse në fund fituan sërish ata…Kampionët e Europës. Balancën e prishi Pedro, i cili dërgoi në rrjetë një grushtim të portierit Beto, pas gjuajtjes së Messit. Spanjolli, i futur si zëvendësues i Maskeranos në fillim të shtesave, për të luajtur ndoshta minutat e fundit me katalanasit, bëri të shpërthejë festa e Barçës që mori trofeun e dytë radhazi brenda 2 muajsh, nga duart e kreut të UEFA-s, Mishel Platini.
Kështu, Barcelona arrin jo vetëm rekordin i Superkupave të fituara, 5 po aq sa Milani, por edhe rekord absolut të trofeve ndërkombëtar: plot 21. Sevilja del me kokën lart dhe krenarinë që ishin të parët dhe aktulisht të vetmit, që i shënuan katër gola skuadrës më të mirë të momentit, duke mos e lënë të fitonte lehtë. Tani Barcelona s’ka shumë kohë të festojë, sepse të premten e pret menjëherë raundi i parë i Superkupës tjetër që duhet fituar, kësaj radhe në Spanjë.

Molgen Balena

Tring Sport