Barcelona ka shpenzuar 300 milionë euro në kërkim të zëvendësuesit të Xavi

Sport

xavi hernandez

Kanë kaluar 3 vite nga largimi i Xavi Hernandez nga Barcelona dhe tek skuadra blaugrana ende nuk kanë gjetur dikë që ta zëvendësojë si duhet. Arda Turan, Denis Suarez, Andre Gomes, Paulinho, Coutinho dhe tashmë Arthur Melo u kanë kushtuar katalanasve plot 300 milionë euro, por pa arritur ta përmbushin këtë objektiv. Në fakt braziliani Arthur Melo ende nuk ka debutuar, ndaj mbetet për t’u parë përformanca e tij, por në Spanjë të gjithë janë disi skeptikë ndaj mesfushorit të ardhur nga Gremio.  Coutinho nga ana tjetër po kalon një formë të mirë dhe ka arritur të përshtatet mirë me skuadrën, por ajo që i mungon yllit brazilian është aftësia mbrojtëse.

xavi

Paulinho nuk rezistoi më shumë se 1 vit dhe u kthye në kampionatin kinez, ndërsa Arda Turan dhe Andre Gomes nuk i realizuan pritshmëritë ndaj tyre. Sa i përket Denis Suarez, tek Barcelona mund të kenë vendosur t’i japin më shumë kohë, duke qenë se gëzon besimin e disa prej drejtuesve të klubit.  Kështu me ardhjen e Arthur, Barcelona arrin kuotën e 300 milionë eurove të shpenzuar për qendrën e mesfushës sa i përket periudhës “post-Xavi”, çfarë tregon edhe njëherë rëndësinë që legjenda e katalanasve ka patur në aplikimin e lojës “tiki-taka” të Barcelonës dominuese.