Serie A, Milani përgatit rinovimin me Tonalin; arrihet një marrëveshje për Vranckx

Sport

Sandro Tonali mendohet si një nga pikat kryesore të projektit të Milanit në planin afatgjatë. Mesfushori ka besimin e plotë të trajnerin Pioli dhe të drejtuesve të skuadrës, të cilët po mendojnë të rinovojnë kontratën me të. Ky rinovim supozohet të vijë për arsye të një përmirësimi të pagës së lojtarit, i cili për momentin përfiton vetëm 1,2 milionë euro në sezon. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, kontrata e Tonalit do të zgjatet vetëm me 1 vit. Marrëveshja aktuale supozohet të përfundojë në qershorin e 2026-ës dhe nëse do të firmoset në propozimin e ri, atëherë kontrata do të shtyhet deri në 2027-ën. Sa i përket pagës, Tonali do të shohë një rritje prej më shumë se dyfish të asaj që merr aktualisht, pasi drejtuesit kërkojnë ta shpërblejnë për paraqitjet e bëra deri më tani me 2,7 milionë euro në sezon, pa llogaritur këtu bonuset.

Ndërkohë sa i përket merkatos në hyrje, vijnë përpjekjet e Maldinit e Massara-s për të gjetur një zëvendësues të denjë të Franck Kessie në mesfushë. Duke parë këmbënguljen e Midtjylland për të mos e ulur çmimin e vendosur për kartonin e Oneydika-s, kuqezinjtë kanë nisur bisedimet me Wolfsburg për talentin belg, Aster Vranckx. 19-vjeçari shihet si një investim premtues për Milanin, edhe pse Maldini nuk kërkon të rrezikojë, por synon ta afrojë fillimisht në formë huazimi, e po ashtu të përfshijë në marrëveshje të drejtën e blerjes së kartonit të lojtarit. Tek Wolfsburg janë të gatshëm ta pranojnë një formulë të tillë, ndërkohë që çmimi i kartonit të Vranckx mendohet se do të fiksohet në të paktën 10 milionë euro, pa bonsuet.