NBA, Kawhi Leonard kalon tek Toronto, DeRozan transferohet tek San Antonio

Sport

kawhi
Ka marrë fund pas 7 sezonesh bashkëpunimi mes San Antonio Spurs dhe Kawhi Leonard. Një nga basketbollistët më të diskutuar të kësaj vere në NBA do të jetë nga sezoni i ardhshëm pjesë e Toronto Raptors. Kalimi i Leonard tek skuadra kanadeze është një lëvizje krejtësisht e papritur, pasi spekulimet e merkatos e lidhnin 27-vjeçarin me skuadra si Los Angeles Lakers apo Philadelphia 76ers.  Së bashku me Leonard, tek Toronto kalojnë edhe Danny Green dhe një shumë prej 5 milionë dollarësh. Të gjitha këto pjesë të një marrëveshjeje që do të tranferojë nga Raptors tek San Antonio Spurs, DeMar DeRozan dhe Jakob Poetl. Për Spurs shkon edhe një zgjedhje në draftin e vitit të ardhshëm.

demar
Ka qenë ky verdikti i një transferimi mjaft të rëndësishëm për sezonin e ri në NBA, pasi bëhet fjalë për dy nga yjet më të mëdhenj të basketbollit elitar përtej Atlantikut. Leonard ka vendosur të braktisë Perëndimit për të luajtur në Lindje, ndërsa DeRozan do të jetë nën urdhërat e trajnerit Gregg Popovich. Ardhja e Leonard përforcon ndjeshëm ekipin kanadez, që sezonin e fundit e mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë dhe rrit pretendimet për titullin kampion. Megjithatë, një pjesë e mirë e tifozëve besojnë se Spurs kanë dalë më të fituar në këtë shkëmbim, pasi DeRozan ishte në një formë të jashtëzakonshme sezonin që lamë pas, ndërsa Leonard ende nuk i ka kaluar të gjitha problemet fizike që prej rikthimit nga dëmtimi.