Barcelona merr e vetme kreun e La Ligas, mbrojtja e Realit prek rekorde negative

Sport

Barcelona merr e vetme kreun e renditjes në La Liga. Katalanasit fituan një ndeshje shumë të rëndësishme në transfertë, sikurse ishte ajo ndaj Atletico Madrid me rezultatin 1-0.

Golin e vetëm të takimit e shënoi Ousmane Dembele në minutën e 22. Francezi vijon me formën e tij optimale, teksa është vetëm lojtari i dytë në La Liga që këtë edicion numëron plus 5 gola dhe plus 5 asist. Lojtari tjetër me të njëjtat statistika, është bashkëkombasi i tij, Antonie Griezmann.

Më tej, ndonëse kjo ishte një transfertë e vështirë për Barcelonën, skuadra katalanase, përveçse doli me 3 pikë nga Estadio Metropolitano, gjithashtu ia doli ta mbante portën të paprekur. Në 16 takime të luajtura këtë sezon, Barcealona ka arritur të mos pësojë gol në 12 prej tyre. Kjo është ecuria e dytë më e mirë në historinë e La Ligas. Më mirë ka bërë vetëm Deportivo La Coruna, në sezonin 1993/94, me 13 ndeshje pa pësuar në 16 të luajtura gjithësej.

Në kushte si këto, ekipi i drejtuar nga Xavi Hernandez kryeson i vetëm tabelën e klasifikimit, me 41 pikë, 3 më tepër sesa Real Madrid i vendit të dytë. Los Blancos, u mposhtën 2-1 në transfertën e Villarreal. Kryeqytetasit vijojnë të kenë probleme në prapavijë dhe të shënojnë rekorde negative.

Thënë ndryshe, në 16 ndeshje të luajtura në kampionat, ata kanë arritur ta mbajnë portën të paprekur në vetëm 3 raste, e duke barazuar ecurinë e tyre më të dobët në mbrojtje që pas vitit 2000, sezonin 2008/09-të.