Bartomeu beson se Messi do të rinovojë sërish me katalanasit

Sport

Rëndësia e Lionel Messit për Barcelonën nuk ka më vend për diskutim. Argjentinasi është absolutisht ikona kryesore e klubit katalanas në dy dekadat e fundit dhe duket se aventura e tij me ‘blaugrana’-t nuk do të mbarojë ndonjëherë. Tashmë në moshën 32-vjeçare, Messi ka pranuar se do të jetë më i kujdesshëm me vendimet që do të marrë, pasi për të, prioritet kryesor është familja e tij. Kontrata e argjentinasit me klubin e ‘La Liga’-s përfundon në vitin 2021, por presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, është i sigurt kur thotë se lojtari do të vazhdojë të qëndrojë tek katalanasit, pse jo edhe për 5 vite të tjera.

Numri 1 i klubit u shpreh se është i qetë përballë spekulimeve për një largim të Messit dhe se është i vendosur që të mbajë lojtarin në ‘Camp Nou’, përtej vitit 2021. Në kontratën e argjentinasit ekziston një klauzolë, që e lejon lojtarin të largohet pa asnjë detyrim financiar në fund të sezonit, çfarë sigurisht ka zgjuar interesin e disa klubeve të mëdha për të bindur një lëvizje sensacionale të numrit 10. Megjithatë për Bartomeun, spekulimet mediatike thjesht sa tërheqin vëmendjen e tifozëve, pasi sipas tij, lojtari është i lumtur në Barcelonë dhe emri i tij do të vazhdojë të jetë i lidhur me klubin katalanas edhe për shumë vite të tjera. Messi ishte protagonist në fitoren 4-1 të Barcelonës ndaj Celta Vigos, ku realizoi një tripletë që e çoi në 8, kuotën e golave në këto 12 javë të kampionatit spanjoll.