Liverpool fiton mes polemikave, Guardiola e ka personale me arbitrin

Sport

Liverpool i ka dhënë një goditje të fortë luftës për titullin kampion në Angli, teksa mposhti në ‘Anfield’ 3-1 rivalët kryesorë të Manchester City. Fabinho, Salah dhe Mane vulosën këtë fitore mjaft të rëndësishme të skuadrës së Jurgen Klopp, ndonëse vëmendjen më të madhe në këtë sfidë e morën vendimet e gjyqtarit kryesor, Michael Oliver. 2 prekje me dorë në zonë, por edhe një ndërhyrje e diskutueshme ndaj Sterling brenda zonës, për të cilat arbitri nuk kërkoi as ndihmën e sistemit ‘VAR’, bënë që Pep Guardiola të shpërthente i nevrikosur.

Megjithatë, në konferencën për shtyp, tekniku katalanas tha se nuk i takon atij të flasë për vendimet që mori ekipi i arbitrave, ndonëse është disi i zhgënjyer pasi sipas tij, rezultati mund të kishte qenë shumë ndryshe. Guardiola u përfol në media se kishte përshëndetur dhe falenderuar në mënyrë ironike gjyqtarët, si një shenjë pakënaqësie për atë që ndodhi në fushë, por 48-vjeçari mohoi gjithçka, duke lënë mënjanë polemikat. Klopp nga ana tjetër pretendoi se skuadra e tij dominoi takimin, ndonëse në fushë ishte Manchester City ekipi që tentoi më së shumti. Tashmë Liverpool-i udhëheq në krye të ‘Premier League’ me 33 pikë dhe ende me asnjë humbje. Leicester dhe Chelsea ndjekin të distancuara me 26 pikë, ndërsa Manchester City mban vendin e katërt me 9 pikë diferencë nga rivalët e Liverpool.