Bayerni turpërohet në Kupë, eliminohet nga një skuadër e Kategorisë së Tretë

Sport

Një skuadër e Kategorisë së Tretë ka turpëruar Bayern Munich në Kupën e Gjermanisë. Fjala është për ekipin modest të Saarbrucken, që të mërkurën mbrëma, në shtëpinë e saj, ka arritur një rezultata historik, që tashmë do të mbahet mend për një kohë shumë të gjatë.

Në 1/16-tat e finaleve të Kupës së Gjermanisë, Saarbrucken fitoi me rezultatin 2-1 përballë kampionëve në fuqi të Bundesligës. Trajneri Thomas Tuchel kishte hedhur në fushën e lojës një formacion të dorës së dytë, duke aktivizuar pak prej titullarëve, teksa vlen të theksohet se pas një mungese gati-gati 11 mujore, Manuel Neuer është rikthyer sërish në portë.

Mirëpo, eksperimenti i Tuchel nuk ka rezultuar i suksesshëm, ndonëse Bayerni kaloi i pari në epërsi në minutën e 16-të me anë të Thomas Muller. Në të parën minutë të shtesës, po të fraksionit të parë dhe me të parën gjuajtje në drejtim në portës, vendasit rikthyen barazpeshën.

Për të shmangur dramën në pjesën e dytë, Tuchel aktivizoi peshat e rënda, por goli i dytë nuk po vinte për vizitorët, të cilët, në minutën e 6-të të shtesës do të befasoheshin, teksa Gaus realizoi golin e dytë për Saarbrucken, që vijon më tej rrugëtimin në Kupë, kurse Bayerni është rikthyer i turpëruar në shtëpi.

Në 4 edicionet e fundit, kjo është hera e tretë që Bayern eliminohet në raundin e dytë nga Kupa e Gjermanisë.

Gjashtë herë kampionët e Europës janë eliminuar kësisoj nga kompeticioni i parë i sezonit, teksa tashmë duhet ta përqendrojnë vëmendjen e tyre në kampionat dhe në Champions League.