Botërori, Maroku shkruan historinë; Portugalia ‘stërvitet’ me Zvicrën

Sport

Për herë të parë në historinë e tyre, Maroku ia del të kualifikohet në fazën çerekfinale të ‘Kupës së Botës’, teksa mposhti me penallti superfavoritët e Spanjës. Pas një barazimi 0-0 në 180 minuta, marokenët i falen portierit të Sevilla-s, Yassine Bounou, i cili ndali 3 nga penalltitë e spanjollëve. Kështu, Maroku bëhet skuadra e katërt afrikane që ia del të arrijë kaq larg në një botëror, pasi më herët, diçka të tillë e kanë realizuar Kameruni në 1990-ën, Senegali në 2002-shin dhe Gana në 2010-ën. Për Spanjën ndërkohë vjen një eleminim i turpshëm, pasi edhe pse regjistori një rekord tjetër pasimesh në këtë përballje ndaj marokenëve, nuk ia doli të godiste në asnjë moment si duhet portën e Bounou. Spanjollët e goditën vetëm 1 herë portën e kundërshtarëve, ndërkohë që Maroku pati disa momente të mira për ta mbyllur takimin përpara penalltive. Për herë të katërt në pesë raste kur u është dashur të luajnë llotarinë e penalltive në një ‘Kupë bote’, Spanja del kokëulur, duke provuar se 11-metërshat nuk janë pika e tyre më e fortë.

Kundërshtari i radhës i Marokut do të jetë Portugalia, që praktikisht u duk se zhvilloi një seancë stërvitore prej 90 minutash ndaj Zvicrës, duke i shkatërruar 6-1. Ishte mbrëmja e Gonçalo Ramos që shënoi një tripletë në debutimin e tij si titullar. Kjo nuk ndodhte që nga viti 2002, kur Miroslav Klose bënte të njëjtën gjë për Gjermaninë. Sulmuesi i Benfikës ndërkohë dha kontributin e tij edhe me 1 asist, çfarë e shndërroi në të parin lojtar që e realizon këtë që nga 1994-a. Mbrëmje e madhe edhe për Joao Felix, i cili shërbeu dy asiste, ndërsa rrugën e rrjetës e gjetën edhe Rafael Leao dhe Pepe. Ky i fundit u bë lojtari më i vjetër që gjën golin në fazën me eleminim direkt të një botërori në moshën 39 vjeç e 283 ditë. Kurse Cristiano Ronaldo e nisi lojën nga stoli. Kjo ndodh për herë të parë që nga viti 2008 dhe si për ironi, edhe atëherë Portugalia përballej me Zvicrën.