Carlo Ançelotti mund të rinovojë kontratën me Real Madrid

Sport

Real Madrid është pranë rinovimit të kontratës me trajnerin Carlo Ançelotti. Marrëveshja aktuale e teknikut italian me 14 herë kampionët e Europës përfundon në verën e 2024-tës, por krerët e klubit janë mëse të kënaqur nga puna e 64 vjeçarit, e në kushte si këto, duan që ai të mbetet në krye të skuadrës, edhe për disa sezone të tjera.

Disa muaj më parë, në mediat e huaja u komentua gjatë se Ançelotti kishte arritur marrëveshjen paraprake për të drejtuar kombëtaren braziliane të futbollit, drejtimin e së cilës do e merrte pikërisht në verën e 2024-tës.

Vetë Ançelotti e kishte mohuar një gjë të tillë, duke u shprehur se synimi i tij i vetëm është Real Madrid, teksa gjithashtu më herët ka deklaruar, se nëse do të ishte në dorën e tij, do të qëndronte përgjithmonë në krye të Los Blancos.

E mesa duket, rrethanat po krijohen të tilla, që Ançelotti, të vijojë të trajnojë Realin. Sikurse thuhet nga mediat pranë klubit madrilen, Ançelotti u ka treguar njerëzve të tij të ngushtë, se drejtimi i Brazilit ka kaluar në plan të dytë, dhe prioriteti i tij tashmë është rinovimi i kontratës me Real Madrid.

Don Carlo është duke e shijuar epokën e tij të dytë në krye të Realit, teksa deri më tani, ndër të tjera, ka arritur të fitojë Champions League dhe kampionat, ndërsa në sezonin akltual është gjithashtu në rrugë të mbarë.

Kjo klimë pozitive e krijuar në Santiago Bernabaeu, i ka bërë drejtuesit e Realit të binden, se Ançelotti është trajneri i duhur për të udhëhequr ekipin merenguez edhe për disa sezone të tjera.

Në një dimension të tillë, krerët e Realit dhe Ançelotti, pritet të ulen në tavolinë përgjatë ditëve të Janarit dhe të diskutojnë çështjen e kontratës së re. Gjithçka parashikohet të marrë formë, pasi skuadra të kthehet nga turneu i Superkupës, që do të zhvillohet në Arabinë Saudite. Do të jetë pikërisht kjo koha, kur do të vendoset përfundimisht, nëse Ançelotti do të rinovojë ose jo. Bëhet me dije se paketa e re mund të zgjatet të paktën edhe për një tjetër sezon, deri në 30 Qershor të 2025-tës.