Hakan Çalhanoglu refuzon një tjetër ofertë nga Arabia Saudite

Sport

Hakan Çalhanoglu refuzon një tjetër ofertë nga Arabia Saudite. Në verën që lamë pas, mesfushori rinovoi deri në vitin 2027 dhe po tregon se vëmendja e tij është e përqendruar vetëm në ngjyrat zikaltër.

Sikurse bëjnë me dije mediat ndërkombëtare, Hakan ka refuzuar një tjetër ofertë nga Al Hilal, klub që për shërbimet e turkut u interesua edhe disa muaj më parë, kur merkatoja verore ishte ende aktive.

Sauditët, janë gati t’i ofrojnë 18 milionë euro regjizorit të mesfushoës së Interit, mirëpo 29 vjeçari edhe një herë tjetër ka treguar se paratë nuk janë gjithçka në futboll. Hakan është i vendosur për të luajtur ende në nivele të larta dhe dëshiron të arrijë sukses me Interin, në mënyrë që të mbetet në librat e historisë së klubit 19 herë kampion të Italisë. Zikaltërit e Milanos kanë ambicie, për të korrur sukses, jo vetëm brenda vendit, por gjithashtu edhe në Europë, me rrugën që është duke u shtruar pak nga pak.

Përgjatë këtij edicioni futbollistik, Çalhanoglu, është aktivizuar 21 ndeshje në të gjitha kompeticionet dhe në total ka shënuar 8 gola, e ka kontribuar gjithashtu me 3 asiste. Objektivi madhështor i Interit përgjatë këtij sezoni është qëndisja e yllit të dytë në fanellë dhe skuadra e Simone Inzaghit është duke ecur në rrugën e duhur, teksa në 17 javë në kampionat, kryeson Serie A, me 44 pikë, 4 më tepër sesa Juventusi vendit të dytë. Përgjatë këtij rrugëtimi, Çalhanoglu, konsiderohet padyshim një nga gurët e themelit të organikës zikaltër.