Çfarë pritet në sfidat e kthimit të çerekfinaleve?

Sport

UEFA Champions League
Menjeherë, Champions League luan këtë javë ndeshjet cerekfinalet të kthimit, nga ku do të dalin 4 skuadrat më të mira të futbollit evropian. Së pari, të martën është radha e Barcelonës që pret Junaited më e relaksuar, pasi Ernesto Valverde la jashtë 9 lojtarë në sfidën e barazuar pa gola në kampionat kundër Hueskas. Kurse Solskjaer u detyrua të luajë thuajse me më të mirët në fitoren e vuajtur, por të rëndësishme për zonën Champions, që arriti ndaj Uest Hemit. Katalanasit do të kenë luksin e qarkullimit të topit, siç bënë në ‘Old Traford’, pa pasur trysninë e madhe të shënimit të golit, që në fakt nuk ka munguar asnjëherë gjatë ndeshjeve të luajtura në shtëpi, në Champions League. Lajm i mirë për anglezët është rikthimi i Nemanja Matic në mesfushë.
Në sfidën tjetër që luhet në Torino, goli në transfertë i lejon Juventusit të kualifikohet edhe me një barazim 0-0. Mbetet të shihet nëse Chiellini do të rikuperohet në mbrojtje, apo do të konfirmohet Rugani përkrah Bonuccit në qendër, pasi të dy nuk luajtën në humbjen e fundjavës ndaj Spalit. Për holandezët, alarmante duket një mungesë e mundshme në mesfushë e Frenkie De Jong, pasi ai doli nga fusha me një problem muskular në kampionat. Një minus i madh shihet edhe skualifikimi i Taljafikos, si pasojë e kartonëve.

UEFA Champions League 752x400
Të mërkurën, vëmendja do të jetë e gjitha në “Etihad”, për të shikuar nëse City do të arrijë të përmbysë humbjen minimale të pësuar në derbin ndaj Totenhemit. Për të realizuar këtë mision, Guardiola pritet të luajë me të rikthyerin nga dëmtimi, Bernardo Silva, por edhe me Leroy Sane e Kevin De Bryne, të cilët i la në stol në takimin e të martës së kaluar. Miqtë do të jenë pa Harry Kane, një mungesë e madhe në sulm që do t’i penalizojë jo pak. Liverpuli, në pamje të parë, ngjan më i sigurti sa i takon objektivit të kualifikimit në gjysmëfinale, pas fitores 2-0 të javës së kaluar. Ndërsa vjen i stimuluar nga një sukses me po të njëjtat shifra në supersfidën e Premier League kundër Chelsea, që i mbajti në krye të renditjes. Megjithatë, edhe Porto nuk ka ndërmend të dorëzohet lehtë dhe është gati të luajë shanset e mbetura, në 90 minutat që e presin para tifozëve të vet.