Botërori, Argjentina dhe Messi shkruajnë historinë ndaj Kroacisë

Sport

Për të gjashtën herë në histori, Argjentina do të luajë një finale të ‘Kupës së botës’. Skuadra ‘albiceleste’ triumfoi 3-0 në gjysmëfinalen ndaj Kroacisë, në një takim ku si zakonisht, shkëlqeu Lionel Messi. Ylli i PSG ishte ai që hapi siparin e golave pas një 11-metërshi të fituar nga Julian Alvarez në minutën e 32-të. Messi do të fitonte duelin me portierin Livakovic, një ekspert penalltish, duke goditur në një cep ku nuk mund të mbërrinte askush. 5 minuta pas golit të Messi-t, do të vinte radha e Julian Alvarez, i cili në një kundërsulm, i ndihmuar pak edhe nga fati, përfundoi i vetëm aksionin duke mposhtur sërish Livakovic. Dopieta e Alvarez do të kompletohej në minutën e 69, kur Messi dhuroi magji me driblimet e tij dhe shërbeu saktë për sulmuesin e Manchester City. Në moshën 22 vjeç e 316 ditë, Julian Alvarez bëhet lojtari i dytë më i ri që shënon një dopietë në gjysmëfinalet e një botërori. Përpara tij, qëndron legjenda e Brazilit, Pele. Ndërsa për Messi-n, kjo ishte ndeshja e katërt në një ‘Kupë bote’, që shënon dhe asiston njëkohësisht. Askush në histori nuk e ka arritur kaq shumë një gjë të tillë. Në fakt, rekordet e thyera nga Messi në fitoren ndaj Kroacisë janë të shumta. 35-vjeçari barazoi legjendën gjermane, Lothar Matthaus, si dy njerëzit që kanë luajtur më shumë ndeshje botërori, 25. Kapiteni i Argjentinës do të ketë mundësinë të bëhet numri 1 edhe në këtë statistikë në finalen e madhe të ‘Katar 2022’. Messi po ashtu u bë zyrtarisht argjentinasi me më shumë gola të shënuar në botëror përgjatë karrierës, me 11 të tillë, duke parakaluar Gabriel Batistuta. Kapiteni i skuadrës ‘albiceleste’ është vetëm i gjashti lojtar në histori që shënon gol në secilën prej ndeshjeve të fazës me eleminim direkt, pa llogaritur finalen, ndërkohë që askush nuk është përfshirë me gola apo asist në më shumë ndeshje se sa ai, 13, po aq sa edhe Ronaldo ‘fenomeni’. Në total, Messi numëron 11 gola e 8 asiste në karrierë nëpër botërore, duke barazuar emra si Miroslav Klose, Ronaldo dhe Gerd Muller, ndërkohë që ky është viti më i mirë kalendarik për të me fanellën e Argjentinës, pasi numëron plot 16 gola.