Champions League, përmbysjet e mëdha që mund të frymëzojnë Sevillan, Juventusin apo Romën

Sport

uefaseville

Ndeshjet e kthimit të vlefshme për çerek-finalet e UEFA Champions League kanë në letër rezultate që vështirë se mund të përmbysen. Por historia tregon se në të tilla nivele asnjëherë nuk ka siguri të plotë. Tre nga 4 sfidat çerek-finale u fituan me diferenca prej 3 golash. Barca dhe Liverpooli fituan në shtëpi, ndërsa Reali dhe Bayerni fituan në transfertë. Një diferencë prej 3 golash është mundur të përmbyset vetëm 1 herë në fazat me eliminim direkt të UEFA Champions League dhe kjo ndodhte në sezonin 2003-2004 kur fitorja 4-1 e Milanit përmbysej 4-0 nga Deportivo La Coruna në ndeshjen e kthimit. Kur flasim për përmbysje e jashtëzakonshme do të mbetet ajo e Barcelonës sezonin e kaluar që fitonte 6-1 në Camp Nou pas humbjes 4-0 ndaj PSG në Francë. Por në të tilla situata përmbysjesh skuadra udhëtuese e takimit të parë luante të dytën në shtëpi. Juventus e Sevilla nuk e kanë këtë avantazh. Por ata duhet të frymëzohen në 5 raste që ka parë Evropa kur skuadrat që kanë humbur takimet e para në shtëpi, kanë mundur t’i përmbysin gjërat në transfertë. 2 nga këto 5 raste kanë ndodhur në periudhën e formatit Champions. Në vitin 2011-të Inter përmbyste 2-3 Bayernin në Munich pas humbjes 0-1 në shtëpi. Ndërsa shumë më përpara, në vitin 1996 Ajaxi përmbyste 0-3 Panathinaikosin në Greqi pasi kishte humbur 0-1 në Amsterdam takimin e parë. Nottingham Foresti në 80-ën, po Ajaxi në 69-ën dheMilani në 55-ën janë skuadrat e tjera që kanë bërë të njëjtën gjë në formatin e vjetër të kompeticionit më madhor Evropian.