Portugali, Presidenti i Sportingut nxit kaos duke kritikuar skuadrën në Facebook dhe më pas duke pezulluar 19 lojtarë

Sport

sportingfckaos
Presidenti i Sportingut të Lisbonës i ka trazuar një gjendje tejet kaotike skuadrës ndërsa javën që shkoi deklaroi se kishte pezulluar plot 19 lojtarë. Bruno De Carvalho kritikoi ashpër lojtarët pas humbjes 2-0 me Atleticon duke u shprehur saktësisht se lojtarë si Mathieu apo Coates kishin luajtur sikurse të ishin me ekipin e Simeones dhe jo të Jorge Jesusit. Sulmi shkoi edhe për lojtarë si Martins apo Coentrao dhe Bas Dost të cilët sipas Presidentit “nuk kishin dëshirë të luanin”. Carvalho kritikat e tija i shprehu përmes një postimi në Facebook duke nxitur një luftë të vërtetë fjalësh mes lojtarëve dhe atij në rrjetet sociale. Pas reagimeve të ndryshme të shkëmbyera 19 lojtarë shpërndanë një mesazh të njëjtë ku shkruhej qartësisht “mungesë mbështetje prej atij që supozohet të jetë lideri ynë”. Mesazh i qarkulluar nga kapiteni Rui Patricio, William Carvalho, Coates, Mathieu, Bryan Ruiz apo Bas Dost. Presidenti u kundërpërgjigj duke postuar sërish në Facebook, kësaj radhe duke i konsideruar lojtarët “një tufë kalamajsh”. Ai theksoi se i kishte pezulluar që të gjithë, plot 19 lojtarë. E gjithë kjo gjë e paprecedentë në historinë e futbollit, u sqarua pak orë më pas kur trajneri Jorge Jesus tha se kishte dakordësuar një takim mes palëve dhe se asnjë pezullim nuk ishte ndërmarrë nga bordi drejtues. Kështu Sportingu luajti ndaj Ferreras me organikë të plotë dhe fitoi 2-0, por e sigurt se marrëdhënia me Presidentin tashmë është e humbur përgjithmonë.