Chelsea interesohet për lojtarin e Napolit, Khvicha Kvaratskhelia

Sport

Khvicha Kvaratskhelia ka përfunduar nën radarët e Chelsea. Në sezonin e tij të dytë në radhët e kampionëve të Italisë, gjeorgjani ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e klubeve me peshë të kontientit, teksa mediat ndëkombëtare kanë arritur të zbulojnë se është pikërisht Chelsea që po e ndjek nga afër situatën e lojtarit në fjalë.

Blutë e Londrës, prej rreth një viti tashmë kanë nisur një projekt të ri, me afrimin e futbollistëve me plot kualitet dhe këtë e kanë bërër duke shpenzuar shuma marramendëse në tregun e merkatos. Sikurse raportohet, nëse Blutë do ia dalin që të ruajnë kufijtë e vendosur nga autoritetet mbi fair-play financiar, atëherë do të nisin sulmin pikërisht për një lojtar si Kvaratskhelia dhe për të kompletuar operacionin, oferta në drejtim të Napolit parashikohet të jetë deri në 100 milionë euro.Nga drejtuesit e klubit londinez, Kvaratskhelia konsiderohet si një futbollist që zotëron parametrat e duhur për t’u bërë lideri i sulmit në Stamford Bridge.

Mirëpo nga ana tjetër, të njëjtën gjë mendon edhe vetë Napoli për lojtarin në fjalë. Sikurse kanë raportuar mediat italiane përgjatë ditëve të fundit, krerët e kampionëve të Italisë, duke nisur që nga presidenti Aurelio De Laurentis, janë të mendimit që Kvaratskhelia të kthehet në qendrën e projektit të skuadrës për vitet e ardhshme. Thënë këtë, klubi jugor i Italisë mund të përpilojë edhe ndonjë kontratë të re për gjeorgjanin, për ta blinduar atë në Maradona edhe për shumë vite të tjera, teksa marrëveshja aktuale e mëngjarashit me të kaltërit përfundon në verën e 2027-tës.

Megjithatë, duke parë se ç’ka ndodhur në radhët e Napolit me futbollistë të ndryshëm përgjatë viteve të fundit, nuk përjashtohet mundësia që edhe Kvaratskhelia të largohet nga Maradona, dhe s’ka dyshim se largimi i tij, do të pasuronte ndjeshëm arkën e klubit. Mjafton të përmendim këtu që mbrojtësi Kalidou Koulibaly, i cili konsiderohej i paprekshëm tek Napoli, u largua në drejtim të Chelsea për rreth 40 milionë euro. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mbrojtësin tjetër të qendrës, Kim Min Jae, i cili pas vetëm një sezoni në Itali, u largua për më tepër se 70 milionë euro në drejtim të Bayern Munich.

Në kushte si këto, në një moment të caktuar, rruga mund të hapet edhe për Kvaratskhelian. Gjithësesi, çdo gjë mbetet për t’u konfirmuar në të ardhmen.