S’ka fitues në Torino, Juventusi dhe Interi ndahen në barazim

Sport

Është mbylluar pa fitues supersfida e javës së 13-të në Serie A, mes Juventusit dhe Interit. Në Allianz Stadium gjithçka ka përfunduar me rezultatin 1-1, me golat që u shënuan në pjesën e parë. Si fillim ishin të zotët e shtëpisë ata që kaluan në epërsi, me anë të Dusan Vlahoviç në minutën e 27-të, pas një asistimi të marrë nga Federico Chiesa.

Mirëpo, vetëm 6 minuta më vonë, do të vinte edhe përgjigja e Interit, me zikaltërit që do të shënonin një gol fotokopje, falë bashkëpunimit të dy sulmuesve të tyre, asistim nga Marcus Thuram dhe finalizim nga Lautaro Martinez.

Ky ishte goli i 27 i Lautaros përgjatë vitit 2023 në Serie A. Që që prej vitit 2000, vetëm dy lojtarë të Interit kanë shënuar më shumë brenda një viti kalendarik në Serie A. I pari është Cristian Vieri me 28 gola në 2001-shin, dhe i dyti është Diego Milito po me 28 gola në 2012-tën. Duke marrë parasysh që deri në përfundim të vitit, Interi do të luajë ndeshje të tjera, atëherë është mëse e besueshme që Lautaro do e thyejë një rekord të tillë, duke u ngjitur vetë në vend të parë.

Një rezultat i tillë, nuk ndryshon asgjë në klasifikim. Interi mbetet në vendin e parë në kuotën e 32 pikëve, 2 më tepër sesa ndjekësit e Juventusit. Pas kësaj sfide, shumëkush është bindur se Zonja e Vjetër do të jetë e aftë deri në fund të sfidojë skuadrën zikaltër për titullin kampion. Madje, këtu mund të klasifikohen edhe lojtarë të ekipit italian. Megjithatë, nuk është i këtij mendimi trajneri Massimiliano Allegri, i cili kur është pyetur mbi një gjë të tillë, është shprehur se nuk ka aspak rëndësi ajo se ç’thonë lojarët. Me rëndësi është ajo që deklaron trajneri i tyre dhe ai është i bindur se objektivi i vetëm i ekipit të tij është të  sigurojë një vend në fazën e grupeve të UEFA Champions League për edicionin e ardhshëm futbollistik.

Nga ana tjetër, Simone Inzaghi e ka parë me optimizëm pikën e marrë prej skuadrës së tij në Torino. Timonieri zikaltër ka nënvizuar se në barazim i tillë ishte me shumë peshë, ndaj një skuadre që di të mbrojë mjaft mirë dhe është shumë e vështirë t’i shënosh.