Ky mund të jetë sezoni i fundit që Giorgio Chiellini luan në karrierën e tij futbollistike

Sport

Mbrojtësi i qendrës ka një kontratë që i mbaron në verën e vitit 2023 me Juventusin, mirëpo shtatlarti mbetet i pavendosur për vazhdimësinë. Sikurse raportojnë mediat përtej Adriatikut, Chiellini ka 3 mundësi zgjedhjeje se ç’do të bëjë me të ardhmen e tij.

Alternativa e parë është që veterani mund ta respektojë kontratën deri në fund dhe më pas të tërhiqet nga futbolli. Ndërsa mundësia e dytë është ndërprerja përpara kohe e marrëveshjes me bardhezinjtë. Kjo do të thotë se 37 vjeçari do të varte këpucët në gozhdë në fund të këtij sezoni. Nëse diçka e tillë kthehet në realitet, Chiellini do të mbetej sërish tek Juventusi, por këtë herë do merrte përsipër një rol drejtuesi.

Nëse asnjë nga dy alternativat e sipërpërmendura nuk ndodh, atëherë ka një mundësi të 3-të. Janë të shumtë lojtarët që kanë vendosur ta vazhdojnë karrierën në Amerikë dhe e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me italianin.

Giorgio Chiellini është pjesë e Juventusit që prej vitit 2005, e prej atëherë ka luajtur 552 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar edhe 36 gola. Në total janë 19 tituj të fituar me Zonjën e Vjetër, ku mes tyre vlen të përmendim suksesin e 9 fishtë në Serinë A.