Cristiano Ronaldo rikthehet në Madrid, stërvitet në ambientet e Realit

Sport

Cristiano Ronaldo rikthehet në Madrid. Sipas raportimeve që vijnë nga mediat botërore, sulmuesi ka zbarkuar në kryeqytetin spanjoll, aty ku ka vendosur të pushojë disa ditë dhe të stërvitet i vetëm, derisa të saktësohet e ardhmja e tij, duke qenë se për momentin është pa skuadër.

CR7 ka kërkuar leje nga Real Madrid për t’u stërvitur në Valdebebas, në qendrën stërvitore të klubit. Prsidenti Florentino Perez dhe pjesa tjetër e bordit i kanë dhënë menjëherë leje portugezit për t’u stërvitur në çdo ambient të kampit të quajtur “Real Madrid City”.

Ronaldo ka kërkuar fillimisht që zbarkimi i tij në Madrid të mbetet secret, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Fillimisht kanë qenë lojtarët e akademisë së Realit, ata që kanë shkuar dhe e kanë takuar 5 herë fituesin e Topit të Artë.

Megjithatë, gjithmonë sipas raportimeve, skuadra e parë e Realit, nën udhëheqjen e Carlo Ançelottit, është duke u stërvitur në të tjera ambiente dhe jo në të njëjtin vend me CR7.

Sa i përket të ardhmes së lojtarit, ende nuk dihet se ç’do të ndodhë. Nuk kanë munguar zërat se Ronaldo mund të bashkohet edhe një herë me Realin, por kjo nuk duket edhe shumë e besueshme, duke qenë se projekti i 14 herë kampionëve të Europës është që të investojnë në lojtarët e rinj.

Më tej, ofertat nga Arabia Saudite mbeten ende në tavolinë, por Ronaldo vijon të jetë i dyzuar. Sulmuesi beson se zotëron ende potencial për të luajtur në nivele të larta, e për këtë arsye synon të mbetet edhe për disa kohë në Europë. Afati kalimtar i Janarit është gjithmonë e më pranë, e kësisoj skuadrën tjetër të Ronaldos do e mësojmë në një të ardhme të afërt.