Dëmtimi I Marcus Thuram, ja sa do të mungojë sulmuesi

Sport

Përcaktohet shkalla e dëmtimit për Marcus Thuram. Testet mjekësore kanë përcaktuar atë që në fakt u pretendua që në fillim, se 26 vjeçari ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e djathtë. Si pasojë, lojtari pritet të mungojë nga 10 deri në 15 ditë, një sinjal pozitiv ky gjithësesi, sepse mund të kishte shkuar edhe më keq.

Në kushte si këto, 26 vjeçari do të mungojë në dy ndeshjet e mbetura të muajit Shkurt për Interin, atë ndaj Leçes në transfertë dhe Atalantës në shtëpi, kjo e fundit, sfidë e prapambetur në calendar, e vlefshme për javën e 21. Sikurse bëjnë me dije mediat përtej detit, ekziston mundësia që Thuram të jetë gati për ndeshjen ndaj Genoas në 4 Mars, ose mund të kthehet ndaj Bolognas në 10 Mars. Megjithatë, nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë, sulmuesi I qendrës, do të grumbullohet për ndeshjen e kthimit ndaj Atletico Madrid, në 13 Mars, ku në Estadio Metropolitano do të përcaktohet përfundimisht se cila prej skuadrave do të kalojë në çerekfinale të Champions League.

Sulmuesi I qendrës nuk luajti dot më shumë sesa një pjesë të Martën e 20 Shkukrtit ndaj Atletico Madrid në duelin e San Siros, teksa doli I dëmtuar nga fusha, me trajnerin Simone Inzaghi që në vend të tij aktivizoi Marco Arnautoviç, I cili rezultoi vendimtar, duke shënuar golin e vetëm të takimit, e duke I dhuruar fitoren skuadrës së tij. Vlen të theksohet se për aq sa luajti në fushë, Thuram ishte një nga më të mirët për ekipin zikaltër.

I bashkuar me Interin me parametra zero në verën që lamë pas, Thuram ka rezultuar një transferim I suksesshëm për Interin. Deri në këtë fazë, shtatlarti I ofensivës ka realizuar 12 gola dhe ka dhënë 11 asiste në 34 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet.