E ardhmja e Lukakut në diskutim, Chelsea ka një kërkesë për lojtarin

Sport

Një verë shumë vendimtare pritet të jetë kjo që po vjen për Romelu Lukaun. Qëndrimi I sulmuesit në radhët e Interit duket I vështirë, por situata nuk është më e mirë në radhët e Chelsea, klub që ka në zotërim kartonin e futbollistit.

Sikurse raportojnë mediat italiane dhe jo vetëm, Chelsea I ka kërkuar lojtarit që të mos kthehet në “Stamford Bridge” në fund të sezonit, por të qëndrojë në “San Siro”. Blutë, do nisin një projekt të ri me trajnerin Mauricio Pochettino në krye dhe argjentinasi nuk e ka në planet e tij futbollistin belg, ndonëse ky I fundit ka një kontratë me Chelsen deri në verën e 2026-tës.

Nga ana tjetër, qëndrimi në radhët e Interit nuk është në dorën e vetë futbollistit, I cili në fakt, në aspektin personal, kushtëzuar këtu edhe nga dëmtimet, nuk është se ka bërë aq mirë, saqë drejtuesit e 19 herë kampionëve të Italisë të jenë të bindur për ta mbajtur ende në skuadër.

Vetëm 9 gola të shënuar në 28 ndeshje në të gjitha kompeticionet, konsiderohen pak. Përtej kësaj, Interi I paguan Lukakut edhe një pjesë të konsiderueshmë të pagës, me pjesën tjetër që gjithashtu e paguan edhe Chelsea. Mirëpo, që lojtari të mbetet në “San Siro”, atëherë duhet të pranojë një ulje drastike të pagës, pasi Interi nuk mund ta përballojë ekonomikisht pagën aktuale të sulmuesit, që shkon afërsisht 20 mln euro në sezon, e ndarë pjesërisht mes Londrës dhe Milanos.

Për këtë arsye, e ardhmja e Lukakut është një ndër çështje që kërkon zgjidhje këtë verë. Mbetet për t’u parë se si do të menaxhohet një situatë e tillë nga Inter dhe Chelsea, por gjithashtu edhe nga vetë futbollisti.