Eden Hazard qartëson të ardhmen: Nuk dua të largohem nga Real Madrid

Sport

Teksa përgatitet për Kupën e Botës, në konferencën për shtyp me përfaqësuesen belfe, Eden Hazard ka folur për sezonin e tij tek Real Madrid. Anësori i sulmit nuk është aspak i kënaqur me 229 minutat e deritanishme të marra mes Champions League dhe kampionatit.

Me kontratën që i përfundon në verën e 2024-tës, Hazard e ka bërë të qartë planin e të ardhmes. “Nuk dua të largohem nga Real Madrid. Ndoshta, pas Kupës së Botës, gjërat do të jenë ndryshe. Përpara se të fillonte sezoni, Ançelotti më tha se unë do kisha mundësi të mjaftueshme për t’u aktivizuar, por kjo nuk është duke ndodhur. Dëshira ime është që të luaj, por në fund të fundit, është trajneri ai që merr vendimet. Unë dua të tregoj se e meritoj të aktivizohem më tepër”, ka thënë ndër të tjera 31 vjeçari.

Hazard u bashkua me Realin në verën e 2019-tës, e prej atëherë është aktivizuar 72 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar vetëm 7 gola, e po ashtu ka dhënë 14 asist për shokët e skuadrës.

Dëmtimet e njëpasnjëshme e kanë kushtëzuar ish-lojtarin e Chelsea të jetë larg formës së tij të zakonshme. Si pasojë, në ambientin madrilen nuk kanë munguar zërat e largimit të lojtarit, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Hazard do vazhdojë të luftojë për vendin e tij në “Santiago Bernabeu”.