NBA, Butler bën histori ndaj Bucks; LA Lakers mposhtin në shtesë Grizzlies

Sport

Miami Heat mund të shkaktojnë surprizën më të madhe të raundit të parë të fazës ‘playoffs’. Skuadra e trajnerit Eric Spoelstra ka fituar ndeshjen e katërt ndaj favoritëve të mëdhenj të Milwaukee Bucks, duke udhëhequr tashmë 3-1 serinë e tyre. 119-114 ishte rezultati final i përballjes së radhës në ‘Kaseya Center’, me një super Jimmy Butler, që bëri liderin për skuadrën e tij. Bulter realizoi një rekord prej 56 pikësh, si asnjëherë më parë në karrierën e tij dhe si asnjëherë më parë në historinë e Miami Heat në fazën ‘playoffs’. Butler ishte i saktë në 19 gjuajtje nga 28 tentativa në total, teksa realizoi 15 gjuajtje të lira. Për Milwaukee-n, nuk mjaftoi as rikthimi në parket i Giannis Antetokounmpo, i cili kompletoi një ‘triple-double’ me 26 pikë, 10 ribaunde e 13 asiste. Ndërsa shënuesi më i mirë për Bucks ishte Brook Lopez me 36 pikë, me shtatlartin që kompletoi një ‘double-double’ edhe me 11 ribaunde. Por pavarësisht rikthimit të Giannis dhe paraqitjes së mirë të Lopez, Bucks tashmë janë vetëm një humbje larg eleminimit, çfarë do të ishte një goditje e fortë për pritshëmritë e tyre.

Fitore me peshë kanë marrë edhe ata të Los Angeles Lakers, që mposhtën në kohën shtesë 117-111 Memphis Grizzlies, duke qenë vetëm një fitore larg kualifikimit drejt fazës tjetër. Loja ishte mjaft e balancuar, me të dyja skuadrat që u përpoqën të ishin të kujdesshme në fazën mbrojtëse. Grizzlies morën një avantazh prej 2 pikësh në sekondat e fundit, por LeBron James ia doli të bënte liderin, duke barazuar gjithçka. Ja Morant provoi t’i jepte fitoren Memphis brenda kohës së rregullt, por u ndal me bllok nga Anthony Davis. Në kohën shtesë, Lakers ia dolën të merrnin më të mirën e tyre, me Austin Reaves që shënoi 23 pikë. Kurse James e mbylli me 22 pikë e 20 ribaunde, çfarë tregon dominimin nën tabelë nga ana e 38-vjeçarit. Për të, kjo ishte ndeshja e parë në karrierë që arrin kuotën e 20 ribaundeve. Për Grizzlies, shënuesi më i mirë ishte Desmond Bane me 36 pikë, por që vlejnë vetëm për statistikat personale të lojtarit.