Fabian Ruiz ndiqet nga Real Madrid, por në tratativa futet edhe Newcastle

Sport

Fabian Ruiz cilësohet si një ndër mesfushorët më të mirë në ‘Serie A’ për momentin, me spanjollin që ka rezultuar vendimtar në skemat e Luciano Spalletti-t tek Napoli, që vazhdon luftën për titullin kampion. I transferuar nga Betis në verën e 2018-ës për shifrën e 30 milionë eurove, Ruiz është po ashtu edhe një ndër të preferuarit e tifozerisë napoletane. 25-vjeçari ishte vendimtar edhe në transfertën e komplikuar ndaj Lazio-s, pasi shënoi golin e fitores vetëm në sekondat e fundit të takimit. Paraqitjet e mira javë pas jave të Fabian Ruiz kanë tërhequr me të drejtë edhe vëmendjen e disa klubeve të mëdha, që janë gati të investojnë tek mesfushori. Një prej këtyre klubeve është edhe Real Madrid, që e sheh si një pasues të denjë për një mes Toni Kroos apo Luka Modric. Megjithatë, arritja e një marrëveshjeje me Napolin për transferimin e tij nuk ka për të qenë e lehtë. Presidenti De Laurentiis nuk ka ndërmend të lëshojë kartonin e 25-vjeçarit nëse nuk paraqitet një ofertë fillestare prej të paktën 60 milionë eurosh. Për Fabian Ruiz interesohen edhe klube si Man.united, Liverpool, Man.City apo edhe Newcastle. Këta të fundit paraqitën një ofertë zyrtare gjatë janarit për transferimin e mesfushorit, që nuk i kalonte 40 milionë eurot, por Napoli e refuzoi menjëherë. Kjo, pasi jo vetëm që nuk përmbushte pretendimet ekonomike të De Laurentiis për kartonin e Fabian Ruiz, por për më tepër Napoli është duke synuar titullin kampion në ‘Serie A’ dhe largimi i një elementi si spanjolli do të kishte pasoja të mëdha. Newcastle po përgatitet të rrisë në 50 milionë euro ofertën për Ruiz, megjithatë, napoletanët kanë gjithë kohën e duhur për të shqyrtuar me kujdes situatën.