Federico Kieza i premtohet klubit të madh

Sport

Në një kohë që mbetet të merret ende vendimi zyrtar mbi trajnerin që do të pasojë Massimiliano Allegrin në stolin bardhezi mes një liste që për momentin duket se kryesohet nga Mauricio Sarri, Juventusi mendon edhe për merkaton. Në Itali janë të sigurtë se kampionët juventinë kanë arritur një marrëveshje personale me Federico Kiezan. “Nuk mendoj për të ardhmen, por vetëm për Kombëtaren”, është mjaftuar të thotë vetë talenti italian, i cili ka dribluar kështu pyetjet mbi merkaton, njësoj sic bën me kundërshtarët në fushë. Por siç raportohet nga “Sky Sport”, mësohet se mesfushori-sulmues që luan me Fiorentinën i është premtuar “Zonjës së Vjetër”, pasi ka rënë dakord për një kontratë 5-vjeçare, me një rrogë prej 5 milionë eurosh në sezon. Një operacion, që pritet të mbyllet pas Europianit të U-21, aty ku Kieza është i impenjuar dhe pritet të udhëheqë Kombëtaren italiane.


Megjithatë, mbetet për t’u gjetur gjuha e përbashkët me klubin të Fiorentinës, që ndërkaq është duke ndërruar pronar dhe prandaj bardhezinjtë duhet të presin pak. Gjithsesi, Juventusi po përgatitet të mbyllë në këtë mënyrë një tjetër transferim të tipit-Bernadeskit, teksa kampionët e Italisë janë gjithnjë një hap përpara kur bëhet fjalë për të marrë lojtarë të talentuar italianë. Ndërkaq, klubi torinez ka mbyllur edhe një marrëveshje tjetër të rëndësishme, që lidhet me rinovimin e kontratës së Rodrigo Bentankur. Uruguajani i mesfushës bardhezi do të zgjasë qendrimin me “Zonjën e Vjetër” deri në 2024-n, që do të përfshijë edhe rritjen e pagës vit pas viti, duke nisur nga 2.5 milionë euro.