Serie A, Fiorentina kërkon Sanabria nga Torino; sulmuesi pëlqehet edhe në Angli

Sport

Dëmtimet e vazhdueshme të Arthur Cabral kanë shqetësuar drejtuesit e Fiorentinës, me brazilianin që nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Vincenzo Italiano për një kohë të gjatë. Brenda kësaj merkatoje dimërore, klubi violë kërkon të sigurojë një tjetër sulmues dhe duke iu referuar mediave italiane, objektivi kryesor mendohet të jetë Antonio Sanabria. Paraguaiani që aktiviziohet me Torinon pëlqehet shumë nga ana e trajnerit Italiano, i cili do të ishte shumë i kënaqur me një afrim të tillë. 26-vjeçari numëron në fakt vetëm 3 gola të shënuar në këtë edicion të ‘Serie A’, por tek Fiorentina besojnë se mund të nxjerrin më të mirën nga lojtari i formuar në akademinë e Barcelonës. Nga ana tjetër, tek Torino nuk e preferojnë një largim të tillë në mesin e sezonit, por për një shifër të kënaqshme, një marrëveshje mund të arrihet. Kjo, sepse Ivan Juric mund të luajë me Vlasic në majën e sulmit, teksa do të afrohej edhe një sulmues tjetër, i një profili më të ulët, në rast largimi të Sanabria-s. Thomas Henry flitet se mund të transferohet nga Verona dhe kjo do t’i hapte rrugën e shitjes së plotë të Sanabria-s drejt Fiorentinës. Për më momentin ende nuk flitet për shifra, por tek Torino kërkojnë mbi 10 milionë euro për kartonin e 26-vjeçarit, i cili ka një kontratë të vlefshme me ‘granata’-t deri në qershor të 2025-ës. Paraguaiani ka edhe pëlqimin e disa skuadrave në Angli, por vetë lojtari preferon të qëndrojë sërish në ‘Serie A’ dhe Fiorentina për të duket si një mundësi e mirë për të provuar një aventurë të re.