Finale historike për Newcastle United

Sport

Newcaslte United është skuadra e parë finaliste e Carabao Cup. Me sistemin vajtje-ardhje, klubi bardhezi mposhti në gjysmëfinale skuadrën e Southampton me rezultatin e përgjithshëm 3-1. Pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë në transfertë, skuadra e Eddie Howe arriti të triumfonte 2-1 edhe në shtëpi.

Ky sukses, ishte një konfirmim i një sezoni të jashtëzakonshëm që po përjeton Newcastle. Në vetëm 27 takime të luajtura në të gjitha garat këtë edicion, klubi në fjalë ka fituar 15 prej tyre, duke regjistruar në këtë mënyrë ecurinë më të mirë që prej sezonit 2001/02.

Për ta kuptuar më mirë atë që po përjetohet në St James’ Park, mjafton të përmendim këtu që Newcastle është kualifikuar në finale të një kompeticioni për herë të parë që nga viti 1999-të, në kompeticionin e FA Cup.

Gjithashtu, kjo është finalja e parë e klubit në Carabao Cup që prej vitit 1976, plot 47 vite më parë. Thënë ndryshe, kjo është koha më e gjatë që i është dashur një klubi në këtë kompeticion për t’u rikthyer në finale.

Vlen për t’u përmendur fakti që prej momentit kur Newcastle ka nisur të drejtohet nga pronarët sauditë, klubi njeh vetëm rezultate pozitive.