Griezmann thuhet se ka nënshkruar me Barcelonën që në mars!

Sport

Nuk kanë fund spekulimet rreth Antoine Griezmann në Spanjë. Pas plot lajmesh ku ditën e enjte folën rreth një bllokimi të lëvizjes së francezit nga Atletico te Barcelona, të premten bëri bujë lajmi i raportuar nga radioja Cadena Ser. Sipas kësaj të fundit Griezmann ka nënshkruar me katalanët që në muajin mars. Pra dy muaj përpara se të përflitej për lëvizjen e bujshme qindra milionë eurosh, Barcelona thuhet se ka kryer punë me 28-vjecarin. Sipas radios spanjolle, Griezmann kishte nënshkruar për katalanasit që në kohën kur Los Rojiblancos ishin në luftën për titull me Barcën.

Një vit më parë Griezmann ishte praktikisht lojtar i Barcelonës deri në momentin kur në fund francezi vendosi të qëndronte dhe në një dokumentar të quajtur “La Decision” qe shprehur se do të mbetej te Atletico. Në fakt ai nënshkroi kontratë të re deri në vitin 2023, kontratë që duket se do të thyhet këtë korrik për shifrat e qindra milionë eurove. Mediat për këtë pjesë nuk janë të sigurta me klauzola që shkonë nga 200 deri në 120 milionë. Por tashmë Cadena Ser këmbëngul se ka dokumente që e provojnë se Griezmann është lojtar i Barcelonës. Bëhet kështu edhe më kontraverse historia e këtij kalimi, që një vit më parë përfundoi edhe në FIFA me Atleticon që u ankua për qasje përtej rregulloreve të Barcelonës ndaj lojtarit.