Grupi A/ Eliminohet Manchester United, arritje historike për Copenhagen

Sport

Manchester United i jep fund një sezoni të tmerrshëm në UEFA Champions League. Jo vetëm që nuk u kualifikuan dot në raundin me eliminim të kompeticionit, por gjithashtu, klubi anglez nuk ia doli dot të qëndronte as në Europa League.

Në javën e 6 të Grupit A, United u mposht 1-0 në shtëpi nga Bayern Munich, me golin e vetëm të sfidës që u shënua në minutën e 70 nga Kinksley Coman. Si pasojë, ekipi i Ten Hag e mbylli aventurën në Champions me vetëm 4 pikë të grumbulluara në 6 ndeshje, duke u renditur në vendin e fundit të Grupit A.

Për të kuptuar sa statistikë negative që është kjo, mjafton të përmendim këtu se United u rendit në vendin e fundit të grupit të Championsit, vetëm për të dytën herë në historinë e klubit. Për herë të fundit kishte ndodhur në vitin 2005/06. Më tej, që pas largimit të Sir Alex Ferguson, djajtë nuk po arrijnë të gjejnë dot ekuilibër, si në Angli, ashtu edhe në Europë.

Thënë më shkoqur, në 7 sezone që kanë marrë pjesë në Champions pas largimit të Sir Alex, United është eliminuar 3 herë në fazën e grupeve, aq sa ishte eliminuar në 18 edicione me trajnerin legjendar, Ferguson.

Më tej, 15 gola të pësuar brenda një fushate të fazës së grupeve, është një statistikë, që për United ka ndodhur për të parën herë në historinë e klubit në UEFA Champions League.

Por nuk mbaron me kaq. Në 24 ndeshje në të gjitha kompeticionet përgjatë këtij sezonio futbollistik, Manchester United, ka humbur 12 prej tyre, të njëjtën sasi humbjesh që pësoi në sezonin që lamë pas, por me një total prej 62 ndeshjesh.

Për t’u rikthyer në situatën e Grupit A, përveç Bayernit që e kishte siguruar kualifikilmin që në raundin e 4 dhe e mbylli në vendin e parë, në vendin e dytë dhe që siguroi një biletë në fazën me eliminim, ishtë Copenhageni, që në shtëpi, fitoi me rezultatin 1-0 ndaj Galatasaray. Goli i shënuar nga Lukas Leragernë minutën e 58, ishte mjaftueshëm për danezët, për të prerë biletën për më tej, vetëm për të parën herë në historinë e klubit.

Sa i përket Galatasaray, aventura europiane për skuadrën turke, do të vazhdojë në Europa League.