Ja skuadrat që përfituan nga triumfi i Chelseat në ‘Europa League’!

Sport

Triumfi në ‘Europa League’ tashmë të siguron një vend në ‘Champions’ në sezonin pasardhës dhe Arsenal do të ishte skuadra e pestë angleze në eltiën e futbollit europian sezonin e ardhshëm, por të besuarit e Unai Emery u shkërmoqën në pjesën e dytë ndaj Chelseat. ‘Blutë’ e Londrës ndërkohë e kishin siguruar pjesëmarrjen në ‘Champions League’ falë vendit të tretë të arritur në ‘Premier League’. “Topçinjtë” e përfunduan kampionatin në Angli të pestët, ndaj të besuarit e Unai Emery do të luajnë në “Europa League”, sezonin e ardhshëm. Janë në fakt 3 skuadra të tjera që kanë bërë tifo për Chelsean në finalen e luajtur në Baku, duke qenë se përfitonin direkt nga fitorja e ‘bluve’ të Londrës.

Këtë fat të madh e ka Olympique Lyon, i cili u rendit i treti në ‘Ligue 1’ në Francë. Me këtë pozicionim në kampionatin përkatës, skuadra franceze do t’i bashkohej Champions-it në raundin e tretë kualifikues. Tashmë, me fitoren e Chelsea, Lyon shkon direkt në fazën e grupeve. Dy ekipet e tjera, që përfitojnë nga ‘blutë’ e Londrës janë: Basaksehir që e mbylli i dyti në Turqi dhe LASK Linz, që përfundoi sezonin në vendin e dytë në Austri. Falë Chelseat, të dyja ekipet do të nisin të luajnë në ‘Champions League’ një raund më tej në fazën kualifikuese. Pra, ato do të bashkohen në këtë garë në raundin e tretë e jo të dytë. Fitorja, gjithashtu, i dha Chelsea një bonus shtesë. Në shortin e fazës në grupe të këtij kompeticioni, sezonin e ardhshëm, londinezët do të spostohen nga vazo 2 në vazon 1, si kampionë të “Europa League”.