Guri merr ‘tërheqje veshi’ nga trajneri i Oostende

Sport

sindrit
Ostende e Sindrit Gurit barazoi 1-1 të dielën, në sfidën e vlefshme për kampionatin belg. Megjithëse ekipi i shqiptarit zbriti në fushë me 3 sulmues që prej fillimit, në fund arriti të shënonte vetëm një herë, duke shpërdoruar shumë raste të tjerë. E në një farë mënyre, në mbyllje të takimit, trajneri Veryhen ka drejtuar gishtin nga sulmuesit, duke mos lënë mënjanë as Sindrit Gurin, që e ka nisur titullar në ndeshjen e fundit dhe u zëvendësua në pjesën e dytë. Megjithëse nuk ka dashur të përmendë emra konkretë. Një nga sulmuesit e Oostende, Conesin është shprehur se në aksionet sulmuese, futbollistët nuk kuptohen me njëri-tjetrin. Ndërsa të njëjtën shqetësim duket se ndan edhe tekniku.

guri

“Aktualisht, nuk dua të flas më shumë rreth pjesës së mungesave të golave. Unë kam qenë vetë sulmues dhe e di sesa të vështirë ua bëni detyrën lojtarëve, kur flisni për ta, sepse i vendosni në presion. Unë nuk mund të pranoj që golat të vinë nga mbrojtësit dhe mesfushorit gjatë gjithë vitit”, deklaroi Veryhen. I pyetur se cila mund të jetë zgjidhja, ai u përgjigj: “Çfarë duhet të bëj? Unë nuk mund t’i braktis ata, megjithëse kanë humbur shumë raste në ndeshjen e fundit…”. Shenjë kjo, që do të duhet të punojë shumë më tepër në stërvitje pikërisht me fazën e sulmuesit, në mënyrë që Guri me shokë të gjejnë një bashkëpunim më të frytshëm me njëri-tjetrin.