Humbja e Napolit në Serie A, Rudi Garcia shumë pranë shkarkimit

Sport

Kur nga të gjithë pritej fitorja e dytë radhazi, Napoli ka marrë një shuplakë të rëndë në Serie A. Në javën e 12-të, kampionët në fuqi të Italisë janë mposhtur 1-0 në shtëpi nga skuadra e Empolit që vinte në Maradona si skuadra e parafundit në tabelën e klasifikimit.

Në një stadium të mbushur në kapacitetin maksimal, Napoli i ka zhgënjyer tifozët dhe kjo humbje, ndonëse e mban skuadrën në vendin e 4 në kuotën e 21 pikëve, hendeku me vendin e parë tashmë është shkëputur plot 10 pikë, çka do të thotë se mbrojtja e titullit mund të konsiderohet një çështje e mbyllur, e paarritshme.

Pas kësaj disfate, trajneri i Napolit,  Rudi Garcia rrezikon seriozisht shkarkimin nga detyra. Madje në mediat italiane thuhet se presidenti Aurelio De Laurentiis, këtë herë nuk do të tolerojë, por do të marrë vendimin drastik për të pushuar nga detyra teknikun francez, që duhet thënë se këtë sezon ka rrezikuar disa herë të pushohet nga puna, por këtë herë duket shumë e vështirë të shpëtojë. Sipas raportimeve, shkarkimi i 59 vjeçarit duket i sigurt, teksa çështja pritet vetëm që të marrë rrugë zyrtare.

Ndonëse emrat janë të shumtë, kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Napolit është Igor Tudor. Përgjatë ditëst së Hënë, palët do të takohen dhe do të diskutojnë mbi çështjet e kontratës dhe nëse do të gjejnë një gjuhë të përbashkët ose jo, kjo mbetet për t’u parë në të ardhmen e afërt.

Sakaq, sa i përket ndeshjes së Empolit, vlen të përmendim këtu edhe paraqitjen dinjitoze të portierit Etrit Berisha, i cili kontribuoi me disa pritje vendimtare në fitoren e marrë nga skuadra e tij. Madje, gardiani kuqezi u cilësua edhe lojari më i mirë i ndeshjes, duke u vlerësuar me notën 8.8