NBA/ Konferenca e Lindjes

Sport

Teksa sezoni në NBA ka nisur të marrë formë, Philadelphia 76-ers është komandantja e vetme e Konferencës së Lindjes dhe kjo ka ardhur pas 7 fitoresh të njëpasnjëshme. E fundit është regjistruar ndaj Detroit Pistons në transfertë me rezultatin 114-106. Të paktën deri në këtë fazë, lojtari që po e udhëheq skuadrën, ndonëse jo i vetëm, është Joel Embiid.  Ndaj Pistons, 29 vjeçari i lindur në Kamerun, rezultoi më i miri i parketit me 33 pikë, 16 rebound dhe 3 asiste. Në fakt 3 basketbollistët më produktivë të parketit rezultuan në anën e 76-ers. Përveç Embiid, pjesë e podiumit ishin edhe Maxey bashkë me Harris.

Vlen për t’u theksuar se në 6 ndeshjet e fundit të skuadrës, në secilën prej tyre, Embiid ka arritur të realizojë të paktën një double-double. Në 8 takime që është aktivizuar gjithësej kët edicion, Embii ka shënuar mesatarisht 31.9 pikë për ndeshje dhe 11.5 rebound për ndeshje.

Në vendin e dytë të Konferencës së Lindjes rendtitet Boston Celtics, që e ka humbur kryesimin pikërisht si pasojë e dy humbjeve që ka pësuar, fillimisht ndaj Minnesota dhe më pas dueli direkt me 76-ers. Sidoqoftë, skuadra nga Massachusetts ka ditur të reagojë, duke marrë dy fitore të njëpasnjëshme. Si fillim ndaj Brooklyn Nets të vendit të nëntë dhe Toronto Raptors të vendit të 10-të.

Në vendin e 3-të klasifikohet Indiana Pacers, që pas 3 fitoreve radhazi është dorëzuar dhe është mposhtur ndaj Philadelphias.

Ndërkohë, vlen të theksohet ecuria pozitive e Miami Heat që renditet në vendin e katërt. Në 5 ndeshjet e fundit, Heat ia ka dalë të marrë po kaq fitore, me suksesin më të freskët të arritur ndaj An Antonio Spurs jashtë shtëpie, 118-113.

Në ndeshjet e fundit binen në sy dy humbjet radhazi të Milëaukee Bucks, që ka zbritur në vendin e 8-të, me të fundit të pësuar ndaj Orlando Magic, 112-97.

Në takimin e fundit, një fitore ka arritur ta marrë edhe Chicago e vendit të 12, teksa ka fituar 119-108 ndaj Detroit Pistons.