Interi fiton derbin e parë ndaj Milanit në gjysmëfinalen e Champions League

Sport

Të paktën deri të martën e ardhshme, Milano do të flasë zikaltër. Interi fiton gjysmëfinalen e parë të Champions League me rezultatin 2-0 ndaj Milanit. Në “San Siro”, të besuarit e Simone Inzaghit zbritën në fushën e lojës si ekipi mik dhe shumë shpejt, bënë që në tribunë të dëgjohej kori i tifozëve të vetëm njërës anë të qytetit.

Që në minutën e 8-të, Edin Dzeko i dha avantazhin skuadrës së tij, duke shfrytëzuar mjaft mirë një krosim të ardhur nga goditja e këndit. 37 vjeç e 54 ditë, boshnjaku u bë lojtari i dytë më i vjetër në moshë që shënon në një gjysmëfinale të Champions League. Përpara tij është Ryan Giggs, 37 vjeç e 148 ditë.

Por nuk mbaron këtu. Dzeko, u bë gjithashtu lojtari i 11-të i historisë së Champions League që ka shënuar gol me dy skuadra të ndryshme në fazën gjysmëfinale.

Për t’u rikthyer tek sfida, pas minutës së 8-të, do të kalonin vetëm 180 sekonda, kur Henrikh Mkhitaryan të shënonte të dytin për Interin, pas një depërtimi mjaft të mirë përmes mbrojtes kuqezi. Mundësitë e tjera që zikaltërit të thellonin avantazhin, nuk munguan, ndonëse një gjë e tillë nuk ndodhi.

Nga ana tjetër, Milani u përpoq që në fraksionin e dytë të shkurtonte diferencën dhe të rikthehej në lojë, por të besuarit e Stefano Pioli nuk ia dolën dot mbanë. Si pasojë, akti i parë i “San Siros” përfundoi me suksesin e Interit, që për herë të parë në histori, brenda një sezoni të vetëm, ka arritur të marrë 3 fitore ndaj Milanit.

Gjysmëfinalja e kthimit do të luhet të martën e ardhshme. Deri atëherë, Milano do të flasë zikaltër, teksa mbrëmjen e 16 Majit do të mësojmë se cila prej skuadrave do e sigurojë biletën në finalen e Stambollit.