Interi ka nisur nga puna që Romelu Lukaku të mbetet zikaltër

Sport

Interi ka nisur nga puna që Romelu Lukaku të mbetet zikaltër. Në pronësinë e Chelsea, në sezonin që lamë pas, sulmuesi i qendrës u huazua në radhët e klubit italian, ku në 37 ndeshje në të gjitha garat, regjistroi 14 gola, e 7 asiste.

Megjithatë, shifrat mund të ishin edhe më pozitive, nëse lojtari nuk do të kishte qenë i kushtëzuar nga dëmtimet. Drejtuesit e Interit besojnë se 30 vjeçari mund të japë akoma edhe më shumë në fushën e lojës, e për këtë arsye, duan ta mbajnë më gjatë në “San Siro”.

Sikurse raportohet nga mediat angleze, Interi shpreson që ta mbajë lojtarin edhe për një tjetër edicion të huazuar, e më pas, në verën e 2024-tës, të ketë mundësinë e blerjes së kartonit të futbollistit.

Nga ana tjetër, Chelsea mund të pranojë huazim edhe për një tjetër edicion, por klubi londinez synon që në marrëveshje, blerja në verën e ardhshme, të bëhet me detyrim dhe operacioni të kryhet për shifrën e 30 milionë eurove.

Mbetet për t’u parë në vijimësi nëse palët do të arrijnë me sukses drejt një emëruesi të përbashkët ose jo, teksa gjatë kësaj kohe, në drejtim të lojtarit, nuk kanë munguar ofertat e ndryshme.

Milani, është një prej klubeve që ka shfaqur interes për Lukakun, me klubin kuqezi të qytetit, që kërkon me patjetër një sulmues të mirëfilltë, duke qenë se i gjithë sezoni s’mund t’i fatrohet përsëri veteranit Olivier Giroud.

Mirëpo, për Lukakun nuk kanë munguar ofertat as nga Arabia Saudite, të cilat belgu i ka refuzuar, sepse ambicia e tij është të qëndrojë në Europë dhe të luajë ende në nivele të larta.