UEFA, sistemi VAR nuk do të aplikohet në Champions League as sezonin e ardhshëm

Sport

UEFA Champions League

Videoasistenca në gjykim, njohur shkurt si VAR, nuk do të përdoret as sezonin e ardhshëm në UEFA Champions League. Ky ka qenë vendimi i qeverisë evropiane të futbollit që ka theksuar se aktualisht teknologjia ka nxitur trazi të madhe në fushë. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin e konfirmoi vetë lajmin se Champions-League-a do të vazhdojë t’i besojë vetëm gjyqtarëve në fushë dhe jo teknologjisë, kjo të paktën edhe për sezonin tjetër. “Tifozët e shohin ekranin e VAR-it për gjatë gjithë ndeshjes, por askush s’e di se si veprohet me të” – tha Ceferein ndërsa shtoi se sipas tij edhe pse teknologjia në futboll duket një projekt i mirë, për aplikimin e saj nuk duhet nxituar. Nga FIFA ndërkohë, Gianni Infantino tha të hënën se nga ata sistemi VAR do të vazhdohet e të mbështetet. Video-asistenca në fushë aktualisht përdoret prej 2 vitesh në më shumë se 20 kampionate anë e mbanë botës. Sipas Bodit Ndërkombëtar të Federatave të Futbollit, sistemi ka qenë 98.9 përqind i saktë. Por pavarësisht kësaj polemika të shumta janë shënuar, sidomos në Itali. Nga ana tjetër shpesh lojtarët ankohen për ndalesat e gjata që i kërkon konsultimi me video-asistencën gjyqtarëve të ndeshjeve. Pikërisht shpërqendrimi është elementi që nuk do Ceferin, sidomos në UEFA Champions League. Prandaj deri në një zgjidhje tjetër, kompeticioni më prestigjioz i kontinentit do të vazhdojë të gjykohet vetëm nga sytë e arbitrave në fushë.